RTSH 24 Live

Kosova

"Rrezikojmë luftë", paralajmëron Albin Kurti: Pas Serbisë qëndron Putin

08/08/2022

"Rrezikojmë luftë", paralajmëron Albin Kurti: Pas Serbisë qëndron Putin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për la Repubblica, ka deklaruar se rreziku i një konflikti me Serbinë është i lartë. Ai tha se pas Serbisë qëndron Vladimir Putin. Kurti thekson se mundësitë për një luftë të tretë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovës janë shumë të larta.

Rreziku i një konflikti të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thoja të kundërtën, veçanërisht pasi bota ka parë se çfarë ka bërë Rusia me Ukrainë. Ne jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci, në fund të fundit. Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të Kremlinit për pansllavizmin, ishte Ukraina. Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë shanset që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë, do të jenë shumë të larta”, tha Kurti.

Kryeministri komentoi dhe tensionet në veri të Kosovës lidhur me vendimin e qeverisë për reciprocitetin e targave serbe, ku tha se protesta nuk u ngrit spontanisht por u organizua nga Beogradi dhe u mbështet nga Rusia.

Konvertimi i targave të vendosura nga Millosheviqi është vendim i qeverisë sime. Ata kanë dy muaj. E njëjta gjë edhe për dokumentet: të dielën, për ato pak orë që ka qenë në fuqi, në pikat kufitare që kanë mbetur të hapura janë dhënë pa incidente 2679. Prandaj duhej të thërrisnin dikë për barrikada: protesta nuk u ngrit spontanisht nga poshtë, ajo u organizua nga Beogradi dhe u mbështet nga Rusia. Më në fund, në mesin e demonstruesve, “disa ishin vërtet kriminelë, pasi vitin e kaluar përfunduan në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së. I referohem Radoiçiqit dhe Veselinoviqit. Ishte deja vu: ajo metodë u përdor nga serbët që në fillim të viteve nëntëdhjetë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Por Kosova sot është një vend demokratik, ata mund të bëjnë shumë pak. Ata janë të frustruar sepse ekonomia jonë, pavarësisht se nuk na njeh si shtet, po lulëzon”, tha Kurti.

Mbrëmjen e 31 korrikut në veri të Kosovës 9 barrikada u vendosën me njërëz të armatosur duke ndaluar qytetarët në automjete dhe këmbësorët. Po ashtu gjatë tensioneve, pati të shtëna me armë dhe ndaj policisë së Kosovës, por fatmirësisht askush nuk u lëndua.

Më 1 gusht, qeveria e Kosovës shtyu me 30 ditë vendimin për implementimin e vendimit për reciprocitetin për mjetet e identifikimit dhe targat serbe.

/rtsh.al/