RTSH 24 Live

Europë

Qeveria gjermane ashpërson kufizimet për udhëtimet

24/07/2021

 Qeveria gjermane ashpërson kufizimet për udhëtimet

Qeveria gjermane ka vendosur të ashpërsojë kufizimet për udhëtimet drejt Spanjës, mes një ringjalljeje të pandemisë në këtë destinacion popullor pushimesh për gjermanët.

Masa, që vlen edhe për Holandën, vjen ndërsa ekonomia më e madhe europiane po përpiqet të ndalojë një përshpejtim të rasteve COVID-19 në vend, për shkak të përhapjes së variantit Delta në mes të sezonit të verës.

Të dy vendet janë klasifikuar tashmë si zona me incidencë të lartë, një vlerësim që ndërmerret kur infeksionet e reja tejkalojnë pragun e 200 rasteve për 100 000 banorë gjatë shtatë ditëve.

Konkretisht, udhëtarët që kthehen nga Spanja ose Holanda do të detyrohen të karantinohen për 10 ditë pas kthimit të tyre në Gjermani, që mund të reduktohet në pesë ditë pas paraqitjes së një testi negativ COVID-19.

Masa do të hyjë në fuqi nga e marta, sipas Institutit Robert Koch (RKI), autoriteti gjerman i vëzhgimit të shëndetit.

Kancelarja Angela Merkel shprehu shqetësimin e saj për një “rritje eksponenciale” të infeksioneve të reja, duke u kërkuar gjermanëve, të cilët ende ngurrojnë, që të vaksinohen.