RTSH 24 Live

Kulturë

"Pranvera në anë të malit", koncert i Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe korit "Prenkë Jakova"

27/05/2023

"Pranvera në anë të malit", koncert i Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe korit "Prenkë Jakova"

Orkestra Simfonike e Shkodrës dhuroi një mbrëmje magjike nën dirigjimin e meastro Jetmir Barbullushit, kësaj herë si të ftuar nderi në trevën shqiptare të Anës së Malit në Malin e Zi.

Manifestimi "Pranverë në Anë të Malit" organizuar nga shoqata "Ora" kishte ndalur për tre vite si shkak i Covid-19 por u rikthye në këtë edicion të 17-të më i bukur se kurrë ndërsa e përshëndeti në nisje të tij edhe kryekomunari i Ulqinit Omer Bajraktari.

Pjesë e kësaj nate ishte Kori Polifonik "Prenkë Jakova" nën drejtimin e mjeshtrit Gjon Shllaku të cilët sollën për të pranishmit disa këngë shkodrane të punuara për kor ndërsa nuk mungoi as himni i Lec Kurtit "Porsi fleta e Ejllit t'Zotit".

Koncerti kishte mbështetjen e qendrës kulturore "Pjetër Gaci" dhe drejtuesit të saj Dritan Mlika përmes artistëve pjesëmarrës.

Opera "Mrika" e Prenkë Jakovës erdhi përmes duetit Blerta Cina dhe Laorjan Ejlli.

Edhe këngëtarja e kësaj treve Egzona Salaj u ngjit në skenë me këngë të kompozitorit shkodran Prenkë Jakova.

Ky ishte koncerti i tretë i Orkestrës Simfonike të Shkodrës por i pari për të jashtë kufijve të vendit që pas rikrijimit të saj. Pas koncertit mjeshtrat Jetmir Barbullushi dhe Gjon Shllaku folën për emocionet pozitive të kësaj mbrëmje.

Manifestimi "Pranvera në Anë të Malit" do të vijojë edhe për dy ditë me aktivitete të larmishme.

/RTSH/