RTSH 24 Live

Aktualitet

Plagosi emigrantin, policia pezullon efektivin e saj për hetime të ngjarjes

05/12/2022

   Plagosi emigrantin, policia pezullon efektivin e saj për hetime të ngjarjes

Policia e Shtetit bëri të ditur se ka pezulluar ditën e sotme nga detyra një efektiv në Kukës, pasi plagosi me armë zjarri një emigrant sirian, në pikën kufitare të Morinës. Ngjarja ndodhi mesnatën e djeshme, gjatë një operacioni të policisë kundër trafikut të klandestinëve.

Emigrantët që po udhëtonin në një furgon, fillimisht nuk i’u bindën policisë për të ndaluar. Sipas policisë, nga punonjës të Sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Kukës është konstatuar gjatë rrugës automobilistike Milot - Kukës, në vendin e quajtur “Rubik”, një mjet furgon Volksëagen, i cili ecte me shpejtësi dhe në mënyrë jo të rregullt, duke krijuar dyshime.

Pas njoftimit dhe verifikimit nga Salla e Komandimit Kukës, rezultoi se mjeti furgon Volksëagen me targë AA 730 VM ishte dhënë me qira.

“Menjëherë pas verifikimit nga Salla e Komandimit, është komunikuar me shërbimet policore më të afërta me vendodhjen e mjetit ato të Patrullës së Policisë “Shqipoja” që kanë qenë me shërbim tek Ura e Drinit të Zi dhe u është kërkuar të ushtronin ndalimin dhe kontrollin e mjetit, pasi dyshohej se mund të ishte me emigrantë që vijnë nga Lindja e Mesme. Pas marrjes së njoftimit, Patrulla e Policisë “Shqipoja” ka lëvizur në drejtim të fshatit Mamës, ku ishte konstatuar për herë të fundit furgoni i dyshuar dhe pas disa minutash lëvizje në aksin nacional, në vendin e quajtur Mamës kanë konstatuar furgonin të devijojë nga rruga kryesore dhe të futet në një rrugë dytësore. Ata kanë vazhduar ndjekjen e mjetit poshtë nënkalimit të fshatit Mamës-Kukës dhe pas rreth 100 metrash, drejtuesi i mjetit K. GJ. 29 vjeç ka ndaluar automjetin duke tentuar të largohej me vrap, kohë në të cilën personat që ndodheshin në furgon kanë tentuar gjithashtu t’i largohen forcave të policisë. Në këtë moment, punonjësi i policisë Inspektor K.B. sipas deklarimeve të tij, ka nxjerrë armën dhe pasi ka qëlluar dy herë në ajër ka vazhduar ndjekjen e tyre, por duke qenë terren i vështirë me shkurre dhe lagështirë dhe në kushtet e errësirës është penguar duke kryer qitje të pavullnetshme me pistoletën që mbante në dorë. Për pasojë, është plagosur shtetasi egjiptian M. H. G, i cili ka marrë një plagë me armë zjarri në pjesën e shpinës.”- thuhet në njoftim.

Sipas policisë, menjëherë, punonjësit e policisë kanë bërë shoqërimin drejt Spitalit Rajonal të Kukësit të shtetasit egjiptian të plagosur, si edhe drejtuesit të mjetit furgon, i cili pësoi lëndime të lehta pasi u rrëzua nga një lartësi rreth 3 metra gjatë ndjekjes nga ana e punonjësve të policisë.

“Pasi kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Kukësit, ata janë përcjellë për në Spitalin e Traumës Tiranë dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, në DVP Kukës janë shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje 12 shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme për kryerjen e veprime hetimore të mëtejshme. Është verifkuar dhe dokumentuar se drejtuesi i mjetit rezulton shtetasi K. GJ, 29 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë si person i dyshuar për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufjve” dhe “Mosbindja e Urdhërit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik” parashikuar nga nenet 298/2 dhe 242 të Kodit Penal. Ndërkohë, është bërë pezullimi nga detyra e punonjësit të policisë, Inspektor K. B., deri në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 gëzhoja pistolete të tipit GLOK që i përkasin armës së punonjësit të policisë K.B. Njëkohësisht nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, janë duke u kryer hetime të plota për sqarimin e pozitës ligjore të punonjësve të strukturave të policisë të përfshirë në ngjarje dhe në përfundim të veprimeve hetimore dhe konkluzioneve të Prokurorisë do të përcaktohet përgjegjësia penale e punonjësve të policisë.”- përfundon njoftimi i policisë.

/rtsh.al/