RTSH 24 Live

Televizion

#Përballë

20/07/2021

#Përballë

 

#Përballë

I.    Ekonomia, pas tërmetit, Covid-it dhe zgjedhjeve! 
Nëse krahason çdo gjë me një vit më parë, ekonomia shqiptare po rritet. Nëse gjatë vitit të shkuar, vitit të pandemisë, treguesit kryesorë ishin negative, ringritja e ekonomisë ka nisur dhe parashikimet janë që në fund të këtij viti rritja të jetë 5.5% , një  rekord për 10 vitet e fundit! Por kjo rritje vjen pas rënies së fortë që erdhi nga tërmetit dhe pandemia.
Përfundimi i zgjedhjeve, lehtësimi masave anticovid dhe  periudha e turizmit pritet që të gjallërojnë biznesin dhe të rrisin ekonominë. Por përtej lajmeve të mira të ditës ekonomia shqiptare ka sfida të mëdha përpara. Borxhi publik ka kaluar 80%. Për abuzimet në fonde publike, sot flasin publikisht jo vetëm aksionet e fundit të SPAK, por edhe deklarimet e Kryeministrit.
Biznesi ankohet për mungesë strategjie dhe transparence. Kërkesat e biznesit janë minimaliste, një prej tyre: Ligji fiskal të mos ndryshohet të paktën për një mandat të plotë qeveritar.
Qeveria ka shtyrë afatin e fiskalizimit për në Janar dhe pret që informaliteti të vijojë të ulet.
Për të herë të katërt qeveria ndryshoi buxhetin dhe shtoi 96 milionë euro më shumë se parashikimi fillestar, për t’u shpenzuar në një përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike.
Për të folur për ekonominë në vitin zgjedhor, në vitin e gjysëm masave për shkak të pandemisë dhe vitin e krijimit të qeverisë  së re, sonte në #Përballë është Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

II.    Qytetarë të të gjithë moshave... vaksinohuni!
Në Shqipëri, numri i të infektuarve dhe të shtruarve në spital nga Covid_19,  është në shifra të papërfillshme, por akush nuk pretendon se e kemi “kaluar lumin”. Rreziku mbetet! Në anën tjetër, protestat e fundit publike të biznesit dhe protestat e përditshme në rrjetet sociale tregojnë se durimi nuk është pa kufi. 
Në një përpjekje për të rritur numrin e të vaksinuarve, autoritet vendosën që gjatë kësaj jave të vaksinohen kushdo që ka mbushur moshën 18 vjeç. 
Vaksina, bashkë me rregullat e “vjetra”, maska, distanca dhe higjena, shihet si instrumenti më efikas për të përballuar variantin Delta të Covid-it. 
Përvoja e javëve të fundit dëshmon se personat e pavaksinuar e kalojnë më rëndë infektimin me variantin Delta. 
Por edhe ata që janë vaksinuar nuk do të thotë se janë të mbrojtur 100%.
Vendet që janë vaksinuar po përballen sërish me covid-in, këtë radhë me një variant të tij.. Izraeli dhe Britania e Madhe janë dy vende me shifrat më të larta të vaksinimit të popullsisë me vaksina perëndimore dhe sërish numri i përsonave të infektuar është rritur dhe pritet të rritet edhe më tej?! Atëherë ku është ndryshimi? Dallimi është te fakti se numri i viktimave dhe i shtrimeve në spital nuk ka rritje. Me dy fjalë edhe nëse e (ri)merr virusin, vaksina të mbron nga rastet ekstreme.
A ka një mënyrë për të ndaluar përhapjen e virusit Delta? A kanë kuptim masat në fuqi dhe çfarë duhet bërë për personat që nuk dëshirojnë të vaksinohen?
A do të përballemi në vjeshtë me një valë të re të virusit?
Në #Përballë do të jemi me epidemiologun e njohur Dr. Ilir Alimehmeti.