RTSH 24 Live

Kulturë

”Notre Dame de Paris”, Rama podcast me këngëtaren Elhaida Dani

27/05/2023

”Notre Dame de Paris”, Rama podcast me këngëtaren Elhaida Dani

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Elhaida Dani ishte e ftuara e rradhës në podcastin e kryeministrit Edi Rama, dhe jo pa qëllim pasi më 28 maj do të vijë për herë të parë në Shqipëri, spektakli më i shikuar në Evropë “Notre-Dame De Paris”.

Këngëtarja tha se shqiptarët e meritojnë të mirëpresin shfaqje të tilla.

“Mbi 70 të huaj do vijnë të Bëjnë Notre-Dame në Shqipëri sot dhe shohin Shqipërinë sot si është Shqipëria, më dërgojnë foto, më shkruajnë, më kontaktojnë dhe më thonë “O zot, I love it here, e dua këtë vend, është shumë bukur, a mund të rrimë më gjatë?”, i tregojnë të tjerëve “Jam në Shqipëri për Notre-Dame” dhe po hapet fjala që Notre-Dame do bëhet në Shqipëri. Është diçka që më bën super krenare sepse e meriton ky vend.

Kam qenë në vende të tjera, pa dashur të ul apo të them asgjë negativ për asnjë vend, por sinqerisht Shqipëria meriton këtë dhe më tepër dhe shqiptarët meritojnë të kenë gjithë emrin e mirë që mund të kenë vërtetë sepse e meritojnë”, tha Dani.

Duke folur për veprën, këngëtarja tha se ajo ka fituar Guiness, si dhe është cilësuar si një nga spektaklet më të ndjekur në botë.

“Ka 25 vjet që Notre- Dame ka lindur, në 97 dhe ka kaluar në gjithë botën dhe ka çifte që atëherë vinin vetëm, vinin çift, vinin me fëmijë të vegjël, sot kthehen fëmijët e tyre ta shohin dhe do ndodhë e njëjta gjë për vite me radhë. Është i vetmi dhe i pari spektakël në Europë që ka bërë diçka të tillë dhe pasi ka lindur Notre-Dame dhe pasi ka treguar që njerëzit mund të dashurojnë një spektakël të tillë në këto nivele, shumë autorë të muzikës franceze dhe jo vetëm kanë filluar të krijojnë musical të tjerë për t’iu afruar kësaj magjie, por Notre-Dame ha bukë më vete le të themi.

Jam e bindur që shqiptarët që do vijnë ta shohin, jo vetëm që do u ndikojë jetën e tyre sot për sot, por jam e bindur që mezi do presin që, nëse do jetë mundësia të rikthehet sërish në Shqipëri Notre-Dame, të vijnë ta shohin sërish dhe nëse nuk do të kthehet sërish në Shqipëri, - që do kthehet, - por nëse nuk rikthehet ata do marrin biletat dhe do ikin në Paris, në Neë York, në Stamboll, London e nuk e di, ku të jetë, por vetëm ta shohin dhe të ndjejnë ato emocione që do ndjejnë të dielën në stadiumin Air Albania”, u shpreh ajo.

Këngëtarja Elhajda Dani do të jetë në rolin e Esmeraldës në spektalin “Notre-Dame De Paris”.

/rtsh.al/