RTSH 24 Live

Sociale

“Muhamet Gjollesha”, përgatitje për provimet e lirimit dhe MSH

15/05/2021

 “Muhamet Gjollesha”, përgatitje për provimet e lirimit dhe MSH

Provimet e lirimit dhe ata të maturës shtetërore priten me emocion nga nxënësit e Shkollës së Bashkuar “Muhamet Gjollesha” në Lazarat.  Për ta mësimi online ka krijuar shumë mangësi dhe këtë periudhë që  janë rikthyer në proces normal po e shfrytëzojnë më së miri për të sistemuar njohuritë kryesisht në lëndët që do të testohen. Nga drejtoria e shkollës është hartuar një grafik për konsultimet të cilat shihen shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e sezonit të provimeve.

“Me rikthimin e fëmijëve në bankat e shkollës ka filluar puna për provimet e klasave të nënta dhe maturës shtetërore. Mësuesit punojnë me nxënësit  me orët e konsultimit dhe orët shtesë për t’iu ardhur në ndihmë në ato probleme që kemi hasur gjatë këtij viti.  Duke parë që mësimi online nuk është aq produktiv sa ai në bankat e shkollës jemi përpjekur t’i qëndrojmë më pranë edhe me ndihmën e psikologut dhe mësuesve që mos ta ndiejnë presionin e provimeve dhe të kenë rezultatet e duhura në fund të këtij viti shkollor.”- thotë Rubie Basha, drejtoresha e shkollës.

“Kemi shumë emocione në lidhje me provimet. Duke qënë online nuk i kemi kuptuar të gjitha mësimet. Tashmë kërkojmë nga mësueset përgjigje për çdo paqartësi që kemi, bëjmë ushtrime të ndryshme. Mësuesit përpiqen fort.”- shprehet një nxënëse e klasës së nëntë.

“Kaluam një periudhë të vështirë, por kur u kthyem në shkollë filluam të punojmë intensivisht së bashku me mësuesit për të plotësuar gjithë boshllëqet e krijuara. Edhe kohën e lirë mundohemi ta shfrytëzojmë vetëm me mësime duke u përqëndruar tek lëndët që kemi provim.” – thotë një maturante

Për maturantët provimet do të nisin më 3 qershor me atë të gjuhës së huaj, ndërsa klasat e nënta e nisin sezonin me provimin e gjuhës shqipe në datën 16 qershor.