RTSH 24 Live

Televizion

"Mrekullitë natyrore të verilindjes shqiptare", reportazh nga RTSH Kukësi dhe Akademia e Trajnimeve

08/07/2022

"Mrekullitë natyrore të verilindjes shqiptare", reportazh nga RTSH Kukësi dhe Akademia e Trajnimeve

Akademia e Trajnimeve në RTSH zhvilloi trajnimin e tretë me gazetarët e televizioneve lokale pjesë e Transmetuesit Publik Shqiptar. Ky trajnim u zhvillua në Kukës me gazetarët e rinj të RTV Kukësi nga trajnerët gazetari i reportazheve Norel Zaimi dhe përgjegjësi i sektorit të operatorëve Ogert Peza. Pas këtij trajnimi për të marrë mësime për zhanrin e reportazhit u xhirua dhe u realizua një telereportazh për turizmin në bashkinë e Madhe të Kukësit.

Kukës, shtigjet që po hapen për turizmin

Për qytetet e vjetra ekzistojnë legjenda dhe mite, këto të shkruara dhe të trashëguara tek brezat e njerëzve që kanë jetuar aty. Por për këtë qytet, i cili me 22 korrik mbush plot 60 vite jetë, qëkurse nisi ndërtimi i tij, dhe i  vjetri poshtë dalëngadalë do tretej e humbiste nën ujë,  ashtu si në gojëdhëna, Kukësi e kuksianët sot e shohin zhvillimin e turizmit si një mundësi jetese e burim të ardhurash.

Ky është Kukësi, qyteti i cili poshtë tij dhe në zanafillën e tij ngrihet me struktura e mite thuajse të pabesueshme. Me njerëz që e duan tokën e tyre, me një të shkuar të lashtë e patriotike dhe me një tashme të ndritur që premton shumë. Kukësi sot është vendi që i ka të gjitha, liqenin, malet me pllajat e pasura me biodiversitet të rrallë, ka historinë antike dhe moderne dhe njerëzit guximtarë që po e ndryshojnë atë dita-ditës.  

Kukësi është porta me e madhe hyrëse e turizmit në Shqipëri. Me qindra mijëra shqiptarë të Kosovës por edhe turistë nga Europa hyjnë nga ky qytet, prej Morinit apo doganës së Shishtavecit dhe shpërndahen për të pushuar në bregdetin shqiptar.  Të rrallë janë ata turistë që ja dinë të mirat që ofron sot kjo trevë. Në Kukës sapo ka nisur të çelen shtigjet e para për turizmin, turizmin industrial, atë malor bashkë me agro-turizmin, turizmi i aventurës si dhe destinacionet e rralla arkeologjike.

Në qytet grupet e para të turistëve po vizitojnë të fshehtat e nëndheshme siç është edhe tuneli anti - bërthamor,  dikur një mit top-secret por që sot është një vend i rrallë dhe me plot mistere nga ku mund të mësosh shumë për historinë e Kukësit. Lufta e ftohte dhe ideja e përditshme e luftës bënë që nën këmbët e qytetit të ndërtohej i nëndheshmi, me të gjitha kushtet e strehimit në një kohë lufte deri te spitali, shtypshkronja, apo kati i nëndheshëm i radios së blinduar.

Prej 3 vitesh qytetit i prin z. Safet Gjici, i njohur për suksese në botën e sportit dhe biznesit, që bashkë me stafin e tij kanë disa projekte ambicioze dhe tepër konkrete për zhvillimin e turizmit në bashkinë me Madhe të verilindjes. Z, Gjici u tha grupit të gazetarëve të rinj të RTSH Kukësit se bashkia ka projekte  të prekshme në këtë sektor dhe se po krijohen kushtet që turizmi të jetë gjithëvjetor, duke sjellë të ardhura për banorët.

Kukësi është një gadishull magjik që herë ngrihet nga ujërat e liqenit si një krijesë mitike dhe herë fundoset për të rigjetur veten në rrënojat e qytetit të vjetër. Në liqen qytetërimet e shtresëzuara të Kukësit janë aty. Shtresa e mbuluar me bimësi e shkurre është qyteza ilire e Pecës në fshatin Përbreg, i njohur dhe për shpellat e famshme. Kalaja ka marrë emrin e kodrës në të cilën ngrihet “Kalaja e Pecës” përballë Kukësit të sotëm, qytezë që daton që prej shekullit të 4-t para erës së re. E zbuluar dhe studiuar me gërmime të rregullta arkeologjike që prej vitit 1985 e deri në ekspeditën e fundit të vitit 2017.

Inxhinieri kuksian Besim Tota tregon se qyteti u zbulua prej profesorit dhe arkeologut të mirënjohur kuksian Luan Përzhita dhe është një prej vendndodhjeve më interesante të guidës turistike që ofron sot qyteti. Në një farë mënyre kalaja dhe kultura e gjetur janë pasaporta e parë e Kukësit.

Kukësi ka shumë bukuri natyrore dhe Kanioni i Grykës së Vanave, është një prej luginave më magjepsëse. Është fare pranë qytetit dhe duket sikur ky shteg nuk do të mbarojë kurrë. Dikur këtu rridhnin ujëra të freskët që binin natyrshëm prej maleve të larta të bjeshkëve të Koritnikut e Gjalices , gjallonin krijesa të rralla si trofta pikëzezë, por sot gjithçka është e shkretuar dhe e tharë.

Hidrocentralet po bien ndesh me strategjitë zhvillimore të turizmit apo me zonat e mbrojtura të shpallura me ligj. Një katastrofë mjedisore që të këput shpirtin, që i jep regres zhvillimit e të mbush me trishtim,  teksa sheh që kjo bukuri përrallore të shëmtohet me këtë tumor të industrisë së rëndë. Por duke u ngjitur sipër kanionit pamja hapet me këtë natyrë, pllaja e Novosejës dhe Shishtavecit, zemra e parkut kombëtar Korab – Koritnik . Këtu po hidhen hapat e pare me ngritjen e bujtinave me parametra bashkëkohore si kjo që po shihni këtu.

“Stani i Hoxhës”, shtëpia e ndërtuar prej njerëzve më të dashur në qytet, gjinekologut Gëzim Basha. Ky vend magjik me këto ndërtime ekologjike premton shumë për zonën por doktor Basha thotë se nuk është gjithçka fushë me lule. Problemet me infrastrukturën po ndikojnë negativisht për biznesin dhe ardhjen e turistëve në zonë.

Mrekullia që ofron kjo zonë me fuqi turistike dhe natyrë marramendëse, me liqenin e famshëm të Kallabakut me mistikën e Gurit të vetmuar të Mëngjesit dhe me këto dy fshatra si dy pika uji e bëjnë sot Kukësin një vend ekzotik dhe mjaftë të lakmuar për turistët elitarë. Frutikultura, bujqësia me në krye markën e famshme ‘made in Kukësi’, pataten e famshme që rritet në tokat e buta të Novosejës dhe Shishtavecit, ekosistemin e rrallë me në krye Shtegun e Ngjyrave, pyjet me mështekna e një mori pasurish natyrore e bëjnë Kukësin të jetë në krye të destinacioneve malore turistike. Banorë të Novosejës dhe Shishtavecit e dinë mire vlerën e kësaj pasurie dhe thonë se dera e shtëpisë së tyre është e hapur për këdo, ashtu siç i ka fillesat tradita bujare kuksiane.

Nga kjo zonë janë mijëra emigrantë, kryesisht në Angli e gjetkë nëpër Europë e Amerikë, që me të ardhurat e tyre do të zhvillonin turizmin malor, kryesisht atë dimëror, pasi zona njihet për sportet e dimrit dhe ekipet e kësaj zone kanë përfaqësuar Kukësin dhe vendin tonë në sportet e rrëshqitjes dhe skive, ku ka dhe një traditë të pasur në larminë e gatimeve, veshjeve tradicionale e folkut të veçantë në këtë zonë, ku një pjesë ruajnë gjuhën dhe traditat e Gorës. Kalendari i festimeve tradicionale është mjaft i larmishëm dhe sipas  zonave. “Dita e Verës” “Shën Gjergj”, “Gjalica”, “Rruna”, “Të dunmet” “Të qethmet” “Festa e Bjeshkëve”, janë disa prej  aktiviteteve të bukura që ngërthejnë në vetvete besimin traditën, ritet, dashurinë për natyrën, malin, kullotën e bagëtinë e  që vijnë nga thellësia e shekujve. Gatimet veshjet e ritualet i bëjnë këto festa majat të bukura, ku vendi i parë u takon mysafirëve. Pushteti lokal sot në Kukës, institucionet e kulturës po bëhen pjesë e paketës turistike duke krijuar edhe bazën e turizmit kulturor.

Për promovimin e turizmit në Kukës po punon fort edhe Radio televizioni i Kukësit degë e Transmetuesit Publik Shqiptar, e njohur si Radio Kukësi, sot me një programacion televiziv të shtuar. Drejtuesi i RTV Kukësi, Jonuz Hallaçi, me një përvojë gati 30 vjeçare në gazetari, dhe që nuk ka reshtur në promovimin e vlerave të Kukësit, thotë se projektet më të fundit zhvillimore moderne siç janë Aeroporti, Stadiumi i ri i qytetit, që ka një ekip elitar futbolli prej një dekade, si dhe përfundimi i urës me varje pjesë e autostradës së Kombit, më e madhja në Ballkan, janë në harmoni me trashëgiminë kulturore, pamjet magjepsëse  dhe potencialet natyrore që ofron sot Kukësi për turizmin.

Nga dita në ditë Kukësit me historinë e rrallë të humbjes nën ujë, e të ringritjes diku më sipër, po i shtohen mysafirët vendas e të huaj. Ky vend i bekuar nga Zoti me natyrë të rralle, i ndodhur në Rrafshën e Lumës, në prehrin e maleve gjigande Gjalica e Kortiniku, me njerëz bujare e besnikë që nder shekuj darkën e hanin shumë vonë në pritje të ndonjë  miku, sot i mban hapur portat e mikpritjes që nga dogana e Morinit që në këtë sezon thuajse nuk ekziston si e tillë, e llava gjigande e turistëve nga Kosova që për 20 minuta është në portat e tunelit të Kalimashit e më tej në 120 minuta drejt brigjeve  të  Adrtiatikut e Jonit. Kukësi ka ditur të presë e përcjellë mysafirë në çdo kohë. Viti 1999, viti e eksodit biblik të shqiptarëve të Kosovës nxori dhe një herë në pah bujarinë dhe mikpritjen kuksiane, duke mos e këputur fillin e mbijetesës për më se 500 mijë vëllezër nga Kosova, e duke zbehur një varfëri të tejskajshme.

Bota u mahnit nga ky humanizëm i pashoq në historinë botërore, e qyteti u kandidua për “Çmimin Nobel për Paqe”. Sot Kukësi e kuksianët kanë shansin që ta zhvillojnë vendin e tyre duke shfrytëzuar këto mrekulli qe iu fali natyra, historia e të kaluarës është siguri e së ardhmes. Kuksianët po mendojnë ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre në vendin e tyre, duke mos e lëshuar me këtë truall të begatë, në kërkim të një jete më të mirë. Kush  erdhi një herë në Kukës e nuk u rikthye më në vendin e besës, zakonit mikpritjes dhe patriotizmit. Këto pamje e këta njerëz e kanë ftesën e hapur për të gjithë . “Mirë se vini në Kukës”.

/rtsh.al/