RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut vizitë në Bruksel

15/11/2021

 Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut vizitë në Bruksel

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani mori pjesë në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL) në Bruksel, në kudër të kryesimit 2021-2022.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Eurokomesari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Theksohet se shefat e diplomacive, këtë vit, në kuadër të këtij formati rajonal diskutuan për prioritetet e kryesimit grek, të prezantuara me moton “Përforcimi i sinergjisë në vendet e EJL-së”.

"PBEJL është faktor kyç në aspiratat eurointegruese të të gjitha vendeve, e cila si një nga nismat më të vjetra rajonale jep kontribut të madh në sigurimin e paqes së përhershme, stabilitetit dhe prosperitetit evropian në vendet e Evropës Juglindore”, theksoi Osmani.

Ai në fjalimin e tij riafirmoi nevojën për bashkëpunim të fuqishëm evropian dhe rajonal dhe solidaritet gjatë marrjes së masave të përbashkëta dhe të koordinuara për avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme mes shteteve. Njëkohësisht, aludoi edhe për sfidat evidente të cilat ekzistojnë mes këtyre vendeve që flitet për partneritete, lidhje të ndërsjellë, sinergji dhe të ardhme të përbashkët.

“Maqedonia e Veriut si një vend anëtar i NATO-s është shumë më rezistente krahasuar me të kaluarën, kriza politike që vijoi pas zgjedhjeve tona lokale, megjithatë, flet për një cenueshmëri të caktuar dhe ndryshime në shoqërinë tonë. Sigurisht, shkaqet themelore për të gjitha këto trende negative janë të natyrës së vërtetë, por përshpejtuesi i tyre, ose katalizatori, lehtë mund të anticipohet në faktin se perspektiva e dobësuar për integrimin evropian e shkaktuar nga ngecja e përsëritur në proces ka reperkusione gjatë stabilitetit dhe prosperitetit”, tha Osmani.

Pjesëmarrësit e shfrytëzuan këtë forum për avancimin e kohezionit rajonal përmes forcimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik si dhe ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, ekonomisë së lirë të tregut dhe respektimit të të drejtave fundamentale të njeriut si vlera themelore evropiane të cilat mbesin në fokusin e të gjitha vendeve anëtare të PBEJL-së.

Para fillimit të takimit, Osmani u takua me homologun e tij bullgar, Svetllan Stoev. Gjatë ditës, ministri Osmani vazhdon vizitën e punës në Bruksel me pjesëmarrje në debatin “Diskutimi për të ardhmen e Evropës - perspektivat dhe kontributet nga Ballkani Perëndimor” ndërsa është paraparë edhe takim me Miroslav Lajçakun, përfaqësuesin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Beograd-Prishtinë./AA