RTSH 24 Live

Art

"Mes çarçafëve" një dramë e kohës nga Teatri shëtitës "Çajupi"

07/05/2022

"Mes çarçafëve" një dramë e kohës nga Teatri shëtitës "Çajupi"

Teatri shëtitës "Çajupi" i Gjirokastrës, ka qenë mbrëmjen e së premtes në Berat me shfaqjen teatrale "Mes çarçafëve". 

Kanë qenë aktoret Yllka Mujo dhe Ermira Hysaj ato që kanë mbajtur të mbërthyer për rreth 2-orë publikun beratas, që kishte mbushur sallën e Pallatit të Kulturës "Margarita Tutulani", ku vepra u vu në skenë nga regjisori Kiço Londo.

Kjo vepër është një pjesë e re e Teatrit Çajupi dhe u interpretua për herë të parë në qytetin e Beratit, për të vijuar më pas në shumë qytete të Shqipërisë.

Shfaqja nisi në një klasë të vitit të tretë fillore në një shkollë private, ku u zhvillua një debat i ashpër mes mësueses Tereza dhe Marionit, nënës së një nxënësi me emrin Aleks.

Duke qënë se Aleksi është një fëmijë me nevoja të veçanta, Marion diskuton ashpër me Terezën, pasi kupton që po mbetet jashtë vëmendjes djalit të saj. Ajo bëhet edhe xheloze për faktin se mësuesja Tereza shpenzon më shumë kohë me djalin e saj, më shumë se vetë ajo që është një grua në karrierë. Kulmi arrin kur Marion zbulon që bashkëshorti i saj dhe mësuesja Tereza janë të dashuruar.