RTSH 24 Live

Aktualitet

Mbërrijnë në Shqipëri 31.590 doza Pfizer

21/09/2021

 Mbërrijnë në Shqipëri 31.590 doza Pfizer

Në vendin tonë kanë mbërritur 31 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. “Edhe 31,590 doza vaksine Pfizer mbërritën pak më parë në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 2,045,310 sasinë e vaksinave anticovid që kanë mbërritur deri tani në vendin tonë. Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni”, thuhet në njoftimin e bërë nga ministrja.

Zonja Manastirliu bëri të ditur pak ditë më parë se fokus është te rritja e mbulesës vaksinale. “Jemi duke punuar për të siguruar akoma më shumë vaksina. Me kontratat e lidhura dhe me donacionet e vendeve të partnerëve ndërkombëtarë, presim edhe 1.3 milionë doza vaksine”, tha ajo pak ditë më parë gjatë fjalës së saj në Kuvend.

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer mbi 1,6 milionë vaksinime në gjithë vendin. Krahas pikave të përqëndruar dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit. 731,577 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antikovid.