RTSH 24 Live

Rajon

 Mali i Zi dhe raportet me fqinjët, të cilat mund t'i rrezikojnë integrimin në BE

16/06/2024

 Mali i Zi dhe raportet me fqinjët, të cilat mund t'i rrezikojnë integrimin në BE

Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina janë dy vendet fqinje të Malit të Zi, që në tetë muajt e fundit i kanë dërguar katër letra në shenjë proteste ndaj vendimeve të qeverisë së Milojko Spajiqit (o. Spajic).

Qeveria malazeze u formua tetorin e kaluar me mbështetjen e partive proserbe, siç është edhe Fronti Demokratik me qëndrimet proruse.

Më 15 maj, Kroacia paraqiti një letër proteste, pasi qeveria zbuloi planet për të votuar një rezolutë që njeh gjenocidin ndaj gati 80 mijë serbëve, romëve, hebrenjve dhe antifashistëve të vrarë nga lëvizja kroate e ustashëve midis viteve 1941 dhe 1945 në kampin e Jasenovacit.

Rezoluta e manipulon historinë, arsyetoi pala kroate, duke i bërë thirrje homologëve malazezë të ndalin çdo përpjekje "që do të rrezikonte rrugën drejt BE-së".

Rezoluta për gjenocidin në Jasenovac erdhi pas vendimit të qeverisë malazeze, me shtysë edhe të Brukselit, për të miratuar gjenocidin në Srebrenicë, të cilin Fronti Demokratik e kishte kundërshtuar.

Ndërkohë Bosnjë-Hercegovina e dërgoi notën e vet të protestës së fundmi, kur më 8 qershor kryeparlamentari Andrija Mandiq, njëherësh kreu i Frontit, foli nga Beogradi për entitetin Republika Sërpska të Bosnjës, duke e quajtur shtet.

Partitë e ish-Frontit Demokratik janë pjesë e shumicës parlamentare të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo u tregua edhe në Komitetin e Këshillit të Europës, kur votuan kundër propozimit për ta bashkuar Kosovën me anëtarët e tjerë. Ndërkohë Mali i Zi e ka njohur zyrtarisht Kosovën në vitin 2008, kur në pushtet ishin socialdemokratët e Milo Gjukanoviqit (o. Djukanovic). /SE

/rtsh.al/