RTSH 24 Live

Rajon

"Mali i Zi dëshiron të hapë një faqe të re në marrëdhëniet me Serbinë"

29/06/2022

"Mali i Zi dëshiron të hapë një faqe të re në marrëdhëniet me Serbinë"

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se dëshirojnë të hapin një faqe të re në marrëdhëniet me Serbinë dhe se synojnë të rrisin në nivelin më të lartë bashkëpunimin në të gjitha fushat kryesisht në politikë, raporton Anadolu Agency (AA).

Abazoviq në kuadër të vizitës së tij në Serbi u takua në Beograd me homologen serbe Ana Brnabiq.

Në një fjalim në konferencën e përbashkët, Abazoviq vuri në dukje se me Beogradin kanë hyrë në një periudhë të re dhe nuk ka asnjë problem të pazgjidhshëm mes dy vendeve.

"Në marrëdhëniet me Serbinë dëshirojmë të hapim një faqe të re. Synojmë të rrisim në nivelin më të lartë bashkëpunimin në të gjitha fushat kryesisht në politikë", tha Abazoviq.

Ai më tej shtoi se kanë diskutuar për çështjen e hapjes së ambasadave reciproke në kryeqytete.

Gjithashtu edhe kryeministrja serbe Brnabiq tha se kanë hyrë në një periudhë të re në marrëdhëniet dypalëshe. "Vitet e fundit janë grumbulluar probleme reciproke, por jemi të gatshëm t‘i zgjidhim këto", theksoi ajo.

Duke bërë të ditur se dy vendet i ka afruar nisma "Ballkani i Hapur" i krijuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Brnabiq potencoi se edhe Serbia është e gatshme për të hapur një faqe të re.

Në kuadër të vizitës në Serbi, Abazoviq do të pritet në një takim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryetari i Parlamentit, Ivica Daçiq.