RTSH 24 Live

Europë

“Luftë me mediat", Rusia mbyll trasmetuesin gjerman Deutsche Welle

05/02/2022

“Luftë me mediat", Rusia mbyll trasmetuesin gjerman Deutsche Welle

Një ditë pasi Moska i tha Deutsche Welle se do t'i revokonte akreditimin, transmetuesi gjerman në Rusi është mbyllur. 
Ky njoftim i Rusisë erdhi pas një hapi të Berlinit që ndaloi transmetimet nga kanali rus RT (Rusia Sot) për shkak se nuk kishte një licencë të kërkuar. DW tha më 4 shkurt se korrespondentët e saj në Moskë pushuan së punuari dhe kthyen kredencialet e tyre, sipas mandatit të Ministrisë së Jashtme ruse edhe pse transmetuesi gjerman ka një licencë të vlefshme. 

Mosmarrëveshja u ndez më 2 shkurt kur një panel rregullator gjerman i medias vendosi që RT duhet të ndërpresë transmetimin e programeve të saj në gjuhën gjermane në vend, duke riafirmuar një vendim në dhjetor që thoshte se RT-së i mungon licenca e nevojshme për transmetime. 

RT pretendon se një licencë që mban në Serbi për transmetimin satelitor i jep të drejtën për të transmetuar në Gjermani sipas një marrëveshjeje të Këshillit të Evropës, në të cilën të dy vendet janë palë. 

Zhvillimet mes Gjermanisë e Rusisë vijnë në mes të tensioneve në rritje midis Perëndimit dhe Moskës lidhur me grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave nga Rusia në zonat përreth kufirit me Ukrainën. 

Gjermania, mes shumë vendeve, i ka bërë thirrje Kremlinit që të depërshkallëzojë situatën duke tërhequr ushtarët dhe pajisjet e saj nga kufiri. 

Ndërkohë edhe rregullatori mbikëqyrës i transmetimeve në Francë ka hapur një hetim mbi mbulimin e lajmeve nga kanali televiziv shtetëror rus RT. 

Rregullatori mbikëqyrës nuk shtjelloi arsyet, por bëri me dije se heton rregullisht shqetësimet rreth kanaleve që transmetojnë në Francë. 

RT France, e cila u lansua në vitin 2017, është pjesë e rrjetit global televiziv  të RT. 
Por shumë persona në Francë e shohin RT si një mjet propagande të qeverisë ruse që përforcon politikën e ekstremit të djathtë ose populliste.