RTSH 24 Live

Kulturë

“Logu i Bjeshkëve” mes bukurive të Kelmendit, festa e kthyer në traditë si një festival kombëtar

08/08/2022

“Logu i Bjeshkëve” mes bukurive të Kelmendit, festa e kthyer në traditë si një festival kombëtar

“Logu i Bjeshkëve”, një manifestim etnokulturor, i kthyer në traditë shumëvjeçare, mblodhi në natyrën e mrekullueshme të Kelmendit, në Qafën e Predelecit, qindra të pranishëm që kishin ardhur nga zona të ndryshme të vendit por edhe nga jashtë Shqipërisë për të shijuar jo vetëm bukuritë e bjeshkëve por edhe për të përjetuar bukurinë e një spektakli ku përzgjidhej “zana” më e bukur e alpeve shqiptare me veshjen karakteristike shekullore, xhubletën.

Nën tingujt e lahutës, çiftelisë e tupanit që në mote jehuan ndër mrize, lugje e kullota, njësoj si në legjendat me zana e shtojzovalle edhe në spektaklin e këtij viti nuk munguan këngët e folklorit, pasurisë kulturore të trevës, kënduar nga artistë të njohur të Malësisë, ku nuk munguan as  humori dhe vallja. Bashkia e Koplikut edhe për këtë vit ishte organizatore dhe mbështetësja kryesore e “Logut të Bjeshkëve”, aktivitetit ku ndërthuret aq bukur tradita me të renë ndërsa kryetari i bashkisë Tonin Marinaj përshëndeti të gjithë spektatorët e pranishëm.

Pas përfundimit të spektaklit, juria përzgjodhi vajzat më të bukura për këtë vit. Dila Bunja u shpall Miss Bjeshka 2022 ndërsa në vendin e dytë u rendit Melisa Durgaj dhe në të tretin Dorina Keqaj.

“Logu i Bjeshkëve” me angazhimin serioz të organizatorëve të tij prej shume vitesh ka bërë që të marrë përmasat e një festivali tradicional kombëtar ku vitet e fundit bukurinë kësaj ngjarje kulturore ja shton edhe rruga panoramike, një nga më të bukurat në vendin tonë, e rikonstruktuar plotësisht nga Shkodra në Vermosh ku çdonjëri ka mundësi të sodisë bukuritë e Leqeve të Hotit përmes ballkonit panoramik, qendrës së Tamarës, ujvarës së Selcës si edhe magjisë së Lepushës.

/rtsh/