RTSH 24 Live

Sociale

Kushi: Projekt pilot për mësimin e gjuhës spanjolle në gjimnaze në Tiranë

17/05/2023

 Kushi: Projekt pilot për mësimin e gjuhës spanjolle në gjimnaze në Tiranë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka pritur në një takim Drejtorin e Institutit "Servantes" në Romë, Z. Ignacio Peyro dhe Ambasadorin e Spanjës në Tiranë Z. Alvaro Renedo Zalba, ku në fokus ishte vlerësimi i mundësisë së zbatimit të një projekti pilot për mësimin e gjuhës spanjolle në shkollë të mesme.

“Kjo mundësi gjen zbatim në politikat e shumëgjuhësisë së arsimit shqiptar dhe institucioneve evropiane, por mbështet edhe preferencën e shumë studentëve që zgjedhin Spanjën si një nga vendet më të preferuara në kuadër të programit Erasmus”, shprehet ministrja.

Ministrja bën me dije se një tjetër çështje që u diskutua gjatë takimit ishte edhe hapja e një zyre për Institutin “Servantes” në Tiranë, për të cilën ambasadori spanjoll dhe drejtori i Institutit Servantes  e vlerësuan si të rëndësishme për shtrirjen e gjuhës dhe kulturës spanjolle.

Ministrja Kushi u shpreh se do të shihet mundësia e bashkëpunimit me institucionet arsimore që mund ta ofrojnë realizimin e kësaj kërkese.

/rtsh.al/