RTSH 24 Live

Kosova

Kurti: Jemi të interesuar që gjatë vitit 2022 ta nxjerrim përfundimisht nga kriza Telekomin e Kosovës

10/01/2022

 Kurti: Jemi të interesuar që gjatë vitit 2022 ta nxjerrim përfundimisht nga kriza Telekomin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vizituar Telekomin e Kosovës.

Në ndërmarrjen publike, në të cilën Qeveria e Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve, kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli u pritën nga kryeshefja Burbuqe Hana, ku vizituan departamentet e kësaj ndërmarrjeje.

Kryeministri Kurti tha se për një periudhë prej disa vjetësh që nga paslufta, Telekomi i ka sjellë Buxhetit të Kosovës qindra miliona euro përfitime.

Kurti tha se janë të interesuar që Telekomin ta bëjnë lider në Kosovë ashtu siç ka qenë para disa vitesh dhe për këtë arsye "i kemi dhënë Telekomit mbështetje financiare në vitin e kaluar".

"Në vitin 2022 jemi të interesuar që bashkërisht edhe Qeveria e Kosovës edhe Telekomi i Kosovës, ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza dhe ta vendosim në binarët e zhvillimit për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës si konsumatorë dhe në të mirën e shtetit të Kosovës", tha Kurti.

"Jemi të interesuar që Telekomin ta rikthejmë si kontribuues të buxhetit"

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se gjatë vitit 2021 të gjitha ndërmarrjet publike kanë pasur përmirësim të performancës së tyre.

Ajo tha se bordi dhe menaxhmenti i Telekomit në veçanti kanë qenë aktiv dhe të suksesshëm në uljen e shpenzimeve operative, në ndërprerjen e kontratave të dëmshme, parandalimit dhe shfuqizimit të gradimeve të paligjshme.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se duan ta kthejnë Telekomin si kontribuues të buxhetit, por, për të arritur në këtë pikë "duhet edhe pak shtytje".

"Jemi të interesuar që Telekomin ta rikthejmë si kontribuues të buxhetit, si kompani që paguan dividentë. Mirëpo, për të arritur aty, marrë parasysh gjendjen në të cilën e kemi gjetur këtë ndërmarrje, nevojitet edhe një lloj investimi apo shtytje fillestare në mënyrë që të mundësohet ai rikthim", tha Murati.

​​​​​​​Kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, tha se Telekomi ka nevojë të madhe për ndihmë. Ajo theksoi se diskutimi me udhëheqës të institucioneve të shtetit ishte i fokusuar në transformimin që po mundohen t’ia bëjnë ndërmarrjes publike drejtë rrugës së normalizimit të saj e cila "nuk është as e shkurtër as e lehtë".

Gjatë vitit të kaluar, në muajin tetor, Qeveria e Kosovës ndau 10 milionë euro për financimin e Telekomit të Kosovës.

Në Telekomin e Kosovës operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1,2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Megjithëse, kjo ndërmarrje viteve të fundit është përballur me sfida financiare dhe teknike për shkak të mungesës së investimeve të reja në të si dhe borxheve të saj, Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015 ka qenë njëra nga kompanitë më fitimprurëse në Kosovë.