RTSH 24 Live

Aktualitet

"Kur Gjirokastra nuk kursehet për turistët", reportazh nga RTSH Gjirokastra dhe Akademia e Trajnimeve

25/06/2022

"Kur Gjirokastra nuk kursehet për turistët", reportazh nga RTSH Gjirokastra dhe Akademia e Trajnimeve

Radio Televizioni Shqiptar prej kohësh ka ngritur një strukturë të re Akademinë e Trajnimeve, ku gazetarët dhe operatorët me përvojë kanë marrë certifikatat për trajnerë. Pas bashkëpunimit të suksesshëm në RTSH KORCA me gazetarët e rinj atje dhe realizimit të një reportazhi për industrinë e mishit grupi i trajnuesvë për zhanrin e reportazhit Gazetari Norel Zaimi dhe Përgjegjësi i Operatorëve në RTSH Ogert Peza ishin këtë herë në Gjirokastër, në një trajnim 3 ditor nga datat 21 deri më 23 qershor.

Gjatë këtij trajnimi që ata kryen me gazetarët e RTSH Gjirokastrës, realizuan edhe një telereportazh për turizmin me titull Kur Gjirokastra “nuk kursehet” për turistët. Trajnimi do të vazhdojë me gazetarët e RTSH Kukësi dhe do të kryhet intensivisht edhe për zhanre të tjera përvec reportazhit nga gazetarët e tjerë të certifikuar në RTSH.

KUR GJIROKASTRA “NUK KURSEHET” PËR TURISTËT

Kjo është Gjirokastra, qyteti i gurtë që shtrihet prej mijëra vitesh poshtë kalasë ilire të Argjirosë.  Qyteti historik ngrihet në dy pllajat e Malit të Gjerë me këto ndërtime qindravjeçare që jo vetëm për banorët e tij por për udhëtarë, konsuj, historianë e shkrimtarë kanë qenë burim i fortë frymëzimi.  Që prej vitit 2005 Gjirokastra është përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Përballë ka Malin e Lunxhërisë dhe luginën e lumit Drino. Një peizazh mitik që kufizohet nga male të larta dhe një histori gati të pabesueshme.

Gjirokastra e vjetër karakterizohet nga shtëpitë e arkitekturës otomane me ҫati të gurta, me ballkone të drunjta dhe me rrugë kalldrëmi, ndërsa qyteti i ri shtrihet natyrshëm poshtë tij. Njerëzit punëtorë dhe të dashur e kësaj treve, të cilët i karakterizon mikëpritja dhe pasioni për të ruajtur me fanatizëm traditat e trashëguara të të parëve, prej vitesh kanë hapur dyert e shtëpive për të pritur vizitorë, turistë të huaj dhe vendas. Sot Gjirokastra është kthyer në një qytet turistik që ja vlen ta vizitosh. Mirela Hoxha është një zonjë gjirokastrite e cila sëbashku me familjarët e saj e kanë kthyer shtëpinë në një banesë pritjeje për turistët. Për Mirelën ëndra e saj e hershme u kthye në realitet.

Banesa e Jaho Babaramos, një familje historike dhe me tradita të forta intelektuale sot është përfshirë në një projekt që synon të sjellë një tjetër lloj turizmi në qytet. Përveç rijetëzimit dhe kthimit në identitet të saj, e zonja e shtëpisë Monda Babaramo tregon se kjo banesë do të hapet për turistët dhe përveç gatimeve tradicionale që do të ofrojë, vizitorët do të kenë mundësi të njihen edhe me historinë e qytetit.

Pushteti Lokal në Gjirokastër ka disa projekte ambiciozë të cilat po i paraprijnë zhvillimit të turizmit jo vetëm në zonat muzeale të qytetit por në të gjithë territorin e bashkisë së Madhe të Gjirokastrës. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi teksa na pret në zyrën e tij tregon se qyteti po transformohet falë disa investimeve serioze.

Kryefjala e Gjirokastrës këto ditë sigurisht që është Turizmi. Sot në qytet operatorë seriozë të ingranazhit të madh turistik po sjellin paketa unike dhe po ofrojnë shërbime cilësore për vizitorët. Nuk është vetëm turizmi historik, turizmi muzeal por edhe turizmi i aventurës. Gazetarja Kristina Fidhi përveç misionit të saj mediatik është edhe një aktore e rëndësishme e turizmit në Gjirokastër dhe tregon për këtë përvojë të saj por edhe për të mirat materiale që ajo sjell në zonë përmes guidave të turistëve.

Banorë guximtarë të kthyer prej emigrimit po investojnë në Gjirokastër për të ngritur ambjente relaksuese apo bujtina ekologjike të përshtatura më sëshumti për turizmin familjar. Ata po ofrojnë ushqimet tradicionale të zonës, dhe po sjellin përvojat e tyre nga shtetet ku kanë jetuar. Marsel Sula po ndërton fermën e tij agroturistike në Valare, pak kilometër nga qyteti. Me kursimet e tij ai ka arritur të krijojë një ambjent tepër mikpritës në mes të këtij gjelbërimi me ajër të pastër.

Gjirokastra këto ditë të nxehta vere po frekuentohet prej qindra mijëra turistë. Kalldrëmet janë të mbushura dhe gumëzhijnë, ekonomitë lokale po gjallërohen edhe pse kriza e çmimeve na ka prekur të gjithëve ne. Këto shtëpi nuk kanë për ta humbur kurrë shkëlqimin dhe janë arsyeja kryesore që turistët vijnë në Gjirokastër.

Në qytet ka investime tepër serioze dhe cilësore. Zoti Genci Kekezi është një banor i vjetër i Gjirokastrës që po investon në zonën muzeale. Por ai thotë që cilësia e investimeve duhet ti përgjigjet edhe një turizmi elitar. Turizmi masiv sipas tij nuk sjell të ardhura të mjaftueshme.

Gjithë këto pasuri monumentale dhe muzeale, burime natyrore dhe energji njerëzore patjetër që kërkojnë një promovim cilësor dhe serioz. Në drejtorinë e turizmit në bashkinë e Gjirokastrës po punohet që këto vlera të përcillen në mënyrën më të vërtetë dhe më realiste. Blerin Kore tregon se pushteti Lokal po krijon një strategji tepër të zgjuar për promovimin e aseteve turistike të qytetit dhe jo vetem.

Gjirokastra është më e madhe se toka e saj dhe fama, traditat, historia dhe mikëpritja e banorëve të saj e bën atë një prej qyteteve shqiptare që nuk është kursyer kurrë edhe për turistët. Ky qytet që ka këtë kala, këto lagje dhe këtë pamje magjike mes malesh është vendi që duhet vizituar patjetër.

Eja në Gjirokastër!

/rtsh.al/