RTSH 24 Live

Kronika

“Komisariati dixhital” me dy rubrika të reja

22/07/2021

“Komisariati dixhital” me dy rubrika të reja

Aplikacionit “Komisariati dixhital” i janë shtuar dy rubrika të reja. Përmes tyre çdo qytetar mund të raportohet mbiproblemet që qytetarët kanë lidhur me dhunën në familje apo edhe krimet mjedisore.
Këto ndryshime u promovuan këtë të enjte nga kreu i qeverisë, Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Zoti Rama shkruajti me këtë rast se qytetarët kanë mundësi të monitorojnë reagimin e Policisë së Shtetit ndaj kërkesës së tyre, e kjo bëhet vetëm me një “klik” nga smartfoni ose kompjuteri.
Policia e Shtetit përmes hapjes së kësaj kategorie në aplikacionin “Komisariati Dixhital” synon që të ketë bashkëpunim më efektiv me qytetarët, pasi i jepet mundësi denoncuesit për dhunën në familje, që të komunikojë online me operatorin e sallës.
Ndërsa lidhur me rubrikën mbi krimin mjedisor, një problematikë e cila është vendosur në fokus të qeverisë shqiptare për mandatin e tretë, në video jepen detaje se si funksionon ky aplikacion me 8 rubrika në total, ku denoncuesve do t'u ruhet anonimati i plotë, por edhe do u kthehen përgjigje të personalizuara, si edhe globale që u dërgohen përdoruesve të këtij aplikacioni.  
Aplikacioni “Komisariati dixhital” është krijuar me qëllim për të inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarit në përmirësimin e sigurisë sociale, luftën ndaj korrupsionit si dhe zbatimit të ligjeve, duke ndihmuar Policinë e Shtetit në evidentimin e çështjeve dhe rasteve me të cilat ata përballen dhe kanë përgjegjësinë për tu kujdesur e ndërvepruar.