RTSH 24 Live

Kosova

"Kërkojmë regjim pa viza", Osmani kritika BE-së: Pavendosmëria juaj po i 'jep krahë' Rusisë

23/06/2022

"Kërkojmë regjim pa viza", Osmani kritika BE-së: Pavendosmëria juaj po i 'jep krahë' Rusisë

"Populli i Kosovës dëshiron një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën". Kështu ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj në takimin e liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Osmani tha se lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen. Osmani theksoi se është koha për vendime të guximshme dhe jo për gjysmë hapa, ndërsa shprehu bindjen se Kosova nuk do largohet nga rruga euro-atlantike.

“Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës - dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj. Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj.  Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike.  Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!”, tha Osmani.

/rtsh.al/