RTSH 24 Live

Ekonomi

Katër aeroporte, dy portet e reja tregtare në Durrës dhe Vlorë

04/04/2021

 Katër aeroporte, dy portet e reja tregtare në Durrës dhe Vlorë

Kryeministri Edi Rama u shpreh se “ne duam të vazhdojmë me ndërtimin e aeroporteve në vendin tonë”.Gjatë takim që zhvilloi sot në Fier, Rama tha se, “aeroporti i Kukësit për pak ditë do të presë grupin e çunave të Londrës, që nuk kanë lënë gjë pa më thënë mua në Facebook për aeroportin e Kukësit. U kam thënë hajdeni atje, të vijnë të votojnë edhe PD-në, me detyrim, mos e ndryshojnë votën, po të zbresin atje”.

Për aeroportin e Vlorës, vijoi ai, më në fund kemi fituesin.“Pas gjithë asaj torture për shkak të pandemisë, shty e shty, për pak ditë firmosim kontratën. Pas përfundimit dhe daljes së fituesit negociohet kontrata dhe fillon puna”, – u shpreh Rama.

Sipas tij, menjëherë me fillimin e punës në aeroportin e Vlorës do të hapim garën për aeroportin e Sarandës dhe do të kemi katër aeroporte.

Kryeministri tha se, “atyre që thonë që nuk na duhen aeroportet, por na duhet bukë, iu them se aeroportet janë fabrika buke. Nuk janë stacione autobuzi, sepse sjellin njerëz që janë konsumatorë dhe kështu rritet numri i shërbimeve për shkak të aeroportit”.“Eshtë botërisht e njohur që një euro që t’i investon, në një aeroport kthehet në 23 euro minimalisht në ekonomi”, – theksoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se puna po vijon edhe në ndërtimin e porteve të reja turistike.“Porti turistik i Durrësit, është më i madhi në historinë tonë, si investim i huaj nga kompania e famshme që ka edhe portin e Dubait”, – tha Rama.

Gjithashtu vijoi ai, edhe porti turistik i Vlorës.“Të dyja këto do të bëjnë që dy portet e reja tregtare të ndërtohen në periferi të dy qyteteve”, – bëri të ditur Rama.

Ai tha se nuk duhen ndaluar këto investime, për të çuar Lulin të flejë në kryeministri.“Duhen ndaluar këto për t’i dhënë Saliut dhe Ilirit çelësat e drejtësisë nga e para? Apo duhen ndaluar këto për t’ia dhënë portofolin peng Monikës? Apo duhen ndalur këto, për të sjellë në qeveri Agron Dukën te pulat, Fatmir Mediun te kapsollat, e me radhë deri tek Shpëtim Idrizi, i cili është gati të japë jetën për Çamërinë në televizione. Po kur fiken kamerat, të merr shpirtin nëse të çon me një punë në emër të Çamërisë si pastruese, sepse duhet t’i japësh rentën. Apo për Vangjel Dulen me vetullat e ngrysura”, – tha Rama.“Për kë duhet bërë ky kthim mbrapa dhe duhen ndalur punët e vendit? Për kë duhet kthyer edhe një herë vendi poshtë dhe duhet përsëritur një gabim që e kemi bërë shpesh në të shkuarën?”, theksoi Rama.