RTSH 24 Live

Kulturë

Junior Eurovision Song Contest 2021, prova e parë e Anna Gjebrea

16/12/2021

 Junior Eurovision Song Contest 2021, prova e parë e Anna Gjebrea

Janë shfaqur me shqiponjën e zezë në jakën e kostumit të bardhë e me flamuj të kuq në duar dhe shumë entuziastë Anna Gjebrea bashkë me 4 balerinët e vegjël që e shoqërojnë në provat e saj të para në skenën e Junior Eurovision Song Contest 2021, Festivalin Europian të Këngës për Fëmijë që do të zhvillohet në Paris në datën 19 dhjetor në orën 16. 

Shfaqje që do të transmetohet drejtpërdrejt nga RTSH, që ka edhe ekskluzivitetin e kësaj ngjarjeje të madhe muzikore europiane për fëmijë, bijë e Eurovision Song Contest për të rritur.
Anna Gjebrea pasi fitoi Junior Fest, festivalin shqiptar të këngës për fëmijë, edhe ky ekskluzivitet i RTSH, me këngën e kënduar prej saj, "Jam pranë teje", tekstin e të cilës e ka shkruar po vetë, e ngacmuar nga dukuria e bullizmit dhe solidariteti që fëmijët duhet t'i japin njëri-tjetrit kur plagosen prej tij, nisi parapërgatitjet në studiot e RTSH, pranë edhe babait të saj, kantautorit Ardit Gjebrea, i cili e ka shoqëruar atë edhe në studiot muzikore në Romë për të bërë përkujdesjet e fundit, e tashmë edhe në Paris. 

Performanca e Anës solli në Tiranë edhe koreografin dhe balerinin e njohur italian, Luca Tommasini, i cili ka kujdesuar cdo detaj të performancës së Anës në Paris. "Jam shumë krenar që do të përfaqësoj Shqipërinë, një vend që e dua shumë e sidomos një këngë kundër bullizmit, viktimë e të cilit kam qenë edhe unë". Kështu u shpreh në një intervistë për RTSH, Luca Tommasini.

Ndërkohë që Ana dhe shokët e saj përgatiten për pasditen e shfaqjes madhe të 19 dhjetorit, votimi do të fillojë një ditë para, në 18 dhjetor, këtë të premte dhe përbën 50% të pikëve për të shpallur këngën fituese. 

Duke iu bërë ftesë gjithë shqiptarëve kudo ndodhen ta ndjekin Ana Gjebrean, Shqipërinë dhe këngën e saj me një mesazh kundër bullizmit për gjithë Europën dhe botën.