RTSH 24 Live

Kulturë

“Historia e Shqiptarëve”: Projekti që do të qartësojë historinë

05/05/2021

“Historia e Shqiptarëve”: Projekti që do të qartësojë historinë

15 historianë, arkeologë dhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova, kanë nisur punën për hartimin e projektit “Historia e Shqiptarëve”. Ai ka në qendër rishikimin dhe botimin e dy vëllimeve historike, për periudhën nga mesjeta deri në Pavarësinë e Kosovës. Projekti do të drejtohet nga akademiku Pëllumb Xhufi dhe profesor Neritan Ceka. 
“Ky tekst është sintetik, që përfshin të gjitha periudhat që nga antikiteti deri në vitin 1990. Synimi është që të bëhet një sintezë e plotë e të gjitha tezave të historianëve shqiptarë dhe të huaj” tha mes të tjerave Drejtori i Institutit të Historisë në Shqipëri, historiani Prof.Beqir Meta. 
Projekti “Historia e shqiptarëve” ideuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë pritet që të përfundojë në vitin 2023.  
Në shkurt të këtij viti u njoftua se Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike në Akademinë e Shkencave do të organizojë, drejtojë dhe realizojë punën në hartimin e tre projekteve madhore në albanologji, ku një ndër to ishte edhe “Historia e shqiptarëve”. Për këtë qëllim pranë Akademisë së Shkencave u ngrit Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike (QBAE). Në fokus të punës së saj janë projektet: Enciklopedia Shqiptare, Fjalori i Madh i Shqipes, Historia e Shqiptarëve si dhe Historia e Letërsisë Shqipe. (D.Mrishaj)