RTSH 24 Live

Politikë

“Grupi parlamentar me rritje cilësore”, Enkelejd Alibeaj: As Berisha, as Basha nuk e fuqizojnë dot PD

19/09/2022

“Grupi parlamentar me rritje cilësore”, Enkelejd Alibeaj: As Berisha, as Basha nuk e fuqizojnë dot PD

Enkelejd Alibeaj tregohet i hapur të pranojë problemet me grupin parlamentar dhe strukturat pas marrjes së drejtimit të PD nga Sali Berisha. Por, ai beson se pas situatës çoroditëse disa mujore, me nisjen e sesionit të ri, ka një rritje cilësore.

“Ka një virtyt ky grup parlamentar, shumica për të qenë korrektë me terminologjinë: janë të pakapur nga pushteti”- thotë Enkelejd Alibeaj, në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Por a është ky një grup pa parti? Zoti Alibeaj ka një përgjigje shumë të qartë: “Ky është një grup parlamentar që Po, është me parti. Në mënyrë individuale deputetët, në zonat e tyre kanë vazhduar veprimtarinë e tyre. Është një punë e përditshme takimi me strukturat, pa mohuar fare problemin që e kemi.”

Paralelizmin që ekziston mes strukturave paralele në PD, Enkelejd Alibeaj e sheh si një problem, pasi, siç vuri shpesh theksin ai, kundërshtar i vetëm për demokratët duhet të jetë Edi Rama. Por si qendrojnë deputetët në raport me Berishën dhe me Bashën?

“Nuk do të duhet të portretizohet sikur ky grup parlamentar nuk do njërin apo tjetrin. Në fakt, u do të mirën demokratëve, do fuqizimin e demokratëve dhe po bën sforco për këtë punë.”- thotë Alibeaj, në opinionin e të cilit, as Berisha, as Basha nuk janë në pozitat që mund të ndihmojnë për fuqizimin e demokratëve.

“Thyerja me Perëndimin nuk na ka fuqizuar asnjëherë.”- thotë Alibeaj për Berishën, ndërsa për Bashën ai e merr të mirëqenë se largimi me dorëheqjen e tij është një çështje e mbyllur.

“Zoti Basha i ka bërë aktet e veta. Ai e dha dorëheqjen e vet. Nuk besoj të ketë asnjë lloj ideje, dyshimi, paqartësie”- i tha kryetari i grupit parlamentar te PD gazetares, Elona Meço.

/rtsh.al/