RTSH 24 Live

Rajon

Greqia i bashkohet Nismës së Berlinit

10/07/2021

 Greqia i bashkohet Nismës së Berlinit

Greqia ka pranuar lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve në kufijtë me dy vendet joanëtare të BE Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dakordësia e arritur në Samitin e fundit të nismës së Berlinit, e bëri Greqinë për herë të parë pjesë të këtij Procesi që nga nisja e tij 8 vjet më parë. 
Greqia i është bashkuar Nismës së Berlinit disa vjet pas fillimit të saj. Pjesëmarrja e kryeministrit grek Micotaqis në takimin e fundit vjetor ka konfirmuar arritjen e nismës së Berlinit që të përfshijë fizikisht dhe politikisht segmentin më jugor të korridorit Adriatiko - Jonian në hartën e veprimit të kësaj nisme, e thirrur tani si pjesë e korridoreve të gjelbra të BE-së. 
Komisioni Europian e bëri këtë të ditur në njoftimin zyrtar. Pjesëmarrësit mirëpritën gatishmërinë politike të shprehur nga Greqia për të mbështetur plotësisht konceptin e Korsive të Gjelbërta BE-gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin për të punuar ngushtë me vendet fqinje  si dhe me Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit dhe Sekretariatin CEFTA, për të mundësuar konceptin që do të zbatohet praktikisht në pikat e përcaktuara të kalimit kufitar midis Greqisë dhe vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor - Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut - me respekt të plotë për procedurat e kërkuara të BE, veçanërisht në Marrëveshjen e Shengenit, në lidhje me kalimin e kufirit midis një Shteti Anëtar të BE dhe një vend kandidat
Vetë kryeministri grek Micotaqis është shprehur i bindur gjatë takimit për këtë përfshirje. "Greqia  është e përgatitur të bashkëpunojë në shtrirjen e nismës së Korridoreve të Gjelbra të BE, korridoret e transportit të mallrave në distanca të gjata për të zvogëluar ndikimin mjedisor midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE, duke siguruar lehtësinë e kalimit në kufijtë e saj me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut" tha ai.
I ashtuquajturi Korridor i Gjelbër evidenton edhe njëherë rajonet politikisht jashtë BE-së që fizikisht rrethohen nga vende europiane. Ngërçi legjislativ nuk ka arritur të kapërcejë atë territorial dhe nisma pas nismash vazhdojnë të ndikojnë shtetet ngjitur me një vend anëtar si Greqia ose dhe Bullgaria apo Rumania, duke e lënë anëtarësinë europiane ose jo, të bëjë ligjin mbi lëvizjen e pretenduar të lirë të njerëzve e mallrave në Europën juglindore. Zyrtarët e lartë europianë deklaruan se procesi i nisur nga Berlini do të bëhej pjesë e Komisionit Europian, por në takimin e fundit mungoi një deklarim i qartë i kësaj arritjeje.