RTSH 24 Live

Art

“Grand Gala”, rihap dyert i rikonstruktuar Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit

16/09/2021

“Grand Gala”, rihap dyert i rikonstruktuar Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor rihapi dyert pas rikonstruksionit, në një mbrëmje gala, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo dhe sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho.

Në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB ishte i pranishëm  kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe përfaqësues të lartë të shtetit, trupit diplomatik, miqve të TKOBAP, etj.

Pas 5 vite mbyllje për shkak të rikonstruksionit, duke filluar nga sot, TKOBAP do të hapet për publikun nëpërmjet shtatë shfaqjeve premierë.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar.

TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.
Në godinën e ristrukturuar të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për personelin dhe publikun. (Sipas ATSH)