RTSH 24 Live

Sociale

“Gjysma e grave të moshuara janë të dhunuara”, Ylli: Kemi fakte të reja për abuzimin me të moshuarit

24/06/2022

“Gjysma e grave të moshuara janë të dhunuara”, Ylli: Kemi fakte të reja për abuzimin me të moshuarit

Një studim i fundit i bërë në vendet e Ballkanit Perëndimor mbi abuzimin tek të moshuarit, e rendit Shqipërinë si vendin me përqindjen më të lartë të grave të moshuara të dhunuara pas Moldavisë dhe Ukrainës. Në një intervistë ekskluzive për RTSH, eksperti i fushës së Geriatrisë Alban Ylli, tha se të paktën gjysma e grave të moshës 65-74 vjeç kanë pësuar gjatë gjithë jetës një formë abuzimi fizik apo psikologjik dhe 1 në 6 e kanë përjetuar vetëm vitin e kaluar.

"Gjysma e grave të moshuara në vendin tonë kanë përjetuar gjatë gjithë jetës së tyre të paktën një nga format e abuzimit si: psikologjik, fizik dhe seksual. Faktet e reja kanë dalë në dritë në studimin më të fundit zhvilluar për vendet e Ballkanit perëndimor,  përfshirë këtu  edhe Ukrainën dhe Moldavinë, e ku Shqipëria rezulton si vendi i dytë në Rajon për nga përqindja e grave të moshës 65-74 vjeç , të çilat kanë përjetuar të paktën  njërin nga tre forma e abuzimit. Megjithëse ende tabu për popullatën shqiptare, studimi I fundit që përfshin edhe Shqipërinë, , demonstron se gjysma e femrave të moshuara Shqipëri kanë pësuar një formë abuzimi fizik , psikologjik apo edhe seksual, që nga mosha 15  vjeç e deri më tani. Ndërsa 1 në 6  prej tyre kanë pësuar një prek këtyre formave të abuzimit vetëm vitin e kaluar”- tha Ylli.

Eksperti i Geriatrisë, Alban Ylli, njëherësh edhe përfaqësuesi i Shqipërisë nga shoqëria civile në takimin e mbajtur në Romë në javën e ndërgjegjësimit ndaj abuzimit të të moshuarve, tha për RTSH se forma më e shpeshtë e abuzimit është ajo psikologjike por gjatë mbledhjes së të dhënave, edhe pse ende tabu,  u zbulua se 5% e tyre kanë pësuar dhunë fizike vetëm vitin e kaluar.

“Format e abuzimit psikologjik janë më të shpeshtat. Këtu mund të përfshihen abuzimi ekonomik, mbajtja e parave pa dëshirë e ku i moshuari nuk lejohet t‘i përdorë ato si të dojë. Përfshihet gjithashtu edhe të kontrolluarit e lëvizjeve të tyre, ku ata pengohen të dalin, të integrohen apo deri edhe fyhen me forma nga më të ndryshmet. Këtu përfshihen edhe format e abuzimit fizik. 5% e tyre kanë pësuar dhunë fizike vetëm vitin e kaluar ndërsa 20-25% e tyre gjatë gjithë jetës“- tha Ylli.

Fakt interesant sipas Alban Yllit është se nënat e moshuara  shqiptare e raportojnë abuzimin  më pak se gratë e moshës së mesme, 50- vjeç. Për më të vjetrat prirja është për ta pranuar e për ta quajtur normë, ndërsa brezi më i ri nënave është më rebel ndaj padrejtësive që i bëhen dhe kërkon ta raportojë dhe denoncojë atë.

/rtsh/