RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Gjykata lë në burg 4 të arrestuarit për mashtrimin online

24/07/2021

 Gjykata lë në burg 4 të arrestuarit për mashtrimin online

Gjykata e Tiranës la në burg 4 personat, të cilët u prangosën dy ditë më parë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një skemë mashtrimi online, përmes së cilës kishin përfituar 4 milion euro.
Trupa gjykuese dha masat e sigurisë për secilin, duke qenë se është faktuar se ata, në bashkëpunim edhe me 8 persona të tjerë që ende janë në kërkim, ishin pjesëtarët e rrjetit ndërkombëtar që mashtronte bizneset.
Dy shtetas nga Kameruni dhe shqiptarët e arrestuar kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare.
Ditën e operacionit, policia tha se kjo goditje e kësaj skeme kriminale u realizua për herë të parë në Shqipëri.
Falë hetimeve, të cilat kishin nisur prej më shumë se 1 viti, paratë janë rikthyer te bizneset e mashtruara.
Sipas Policisë, që kjo skemë të funksiononte, personat e përfshirë kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.
Subjektet që janë verifikuar deri më tani si subjekte tregtare fiktive dhe të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe që më pas në emër të tyre janë hapur numra llogarish bankare janë 17 në total ndërsa deri tani janë evidentuar subjekte që kanë rënë pre e këtij mashtrimi nga SHBA, GJERMANI, ANGLI, TURQI, BELGJIKË, ZVICËR, FINLANDË, LITUANI dhe FILIPINE.