RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjykata Kushtetuese rrëzon gjyqtaren, Enkeleida Hoxha

11/06/2021

 Gjykata Kushtetuese rrëzon gjyqtaren, Enkeleida Hoxha

Gjykata Kushtetuese nuk pranon ankimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, e cila kërkoi anulimin e  vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor që i hoqi statusin e magjistratit. Sipas kushtetuese, ky ankim duhet bërë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi KPA është institucioni që shqyrton këto ankime.

Gjykata Kushtetuese nuk e kaloi kërkesën në seancë plenare. Sipas këtij vendimi, GJK-ja i kërkon gjyqtares së shkarkuar që të ankohej në Kolegjin e Posaccëm të Ankimit. Ish-gjyqtarja Hoxha po hetohet për korrupsion, ajo u shkarkua për rastin e lirimit të Hekuran Billës nga burgu, i cili u vra disa vite më parë gjatë një atentati në zonën e Komunës së Parisit. Hoxha njihet si gjyqtarja që ka liruar të burgu të burgosurit VIP.

Pjesë nga vendimi i GJK

Pretendimet e kërkueses

1.      Kërkuesja, në kërkesën drejtuar Gjykatës, ka parashtruar në mënyrë të përmbledhur:

5.1.          KLGJ-ja ka vendosur shkarkimin bazuar në shkeljet e pretenduara vetëm për rastin e të dënuarit H.B., pasi i ka gjetur të pabazuara pretendimet e inspektorit në rastin e të dënuarit I.P. KLGJ-ja, për rastin e të dënuarit H.B., ka shqyrtuar mënyrën e zbatimit të ligjit procedural dhe material nga ana e gjyqtares edhe pse këtë tagër ia përjashtoi vetes në rastin e të dënuarit I.P. KLGJ-ja ka trajtuar mënyrën e zbatimit të ligjit, por normat e cituara nga ajo nuk përbëjnë shkelje disiplinore të gjyqtares ose sjellje diskredituese të figurës dhe statusit të gjyqtarit. Sjellja dhe atributet e KLGJ-së si një gjykatë e lartë janë të pamerituara ligjërisht për një organ kolegjial që siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.

5.2.    Në të dyja rastet e referuara nga ILD-ja, vendimmarrja nuk është ankimuar dhe për të nuk është shprehur një gjykatë më e lartë, nëse është shkelur ligji material ose procedural nga kërkuesja.

5.3.    Gjatë gjykimit të zhvilluar nga KLGJ-ja është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, pasi kërkueses i është mohuar mundësia për të kundërshtuar raportin e ILD-së.

5.4.    Kërkueses i është mohuar edhe mundësia për marrëveshjen e përbashkët të pranimit mes saj dhe ILD-në, si një mundësi e parashikuar nga ligji.

5.5.    Masa disiplinore “Shkarkim nga detyra” është e vendosur pa ligj, pasi nenet 101-104 të ligjit nr. 96/2016 janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 34, datë 10.04.2017. Veprimet dhe mosveprimet e magjistratit që përbëjnë shkelje disiplinore, të parashikuara nga neni 102 i ligjit nr. 96/2016, në të cilin është bazuar edhe ILD-ja, në kohën e kryerjes së shkeljeve disiplinore të pretenduara ishte një dispozitë e shfuqizuar dhe nuk mund të përbënte bazë ligjore për vendimmarrjen.

III

Vlerësimi i Kolegjit

A. Për juridiksionin e Gjykatës

2.      Kolegji vëren se sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f”, 134 pika 1, shkronja “i”, dhe 134, pika 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, kur është palë në një proces ligjor ose kur është bartës i të drejtave dhe lirive themelore të parashikuara nga Kushtetuta, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

3.      Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret e nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike, afatin e paraqitjes së kërkesës, llojin e pasojave negative të pësuara, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës. Megjithatë, përmbajtja e nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës ka bërë një përjashtim nga rregulli i mësipërm, për rastet kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.

4.      Në rastin konkret, Kolegji vëren se kërkesa është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese dhe në KPA nga kërkuesja, ish-magjistrate, ndaj së cilës është dhënë masa disiplinore “Shkarkim nga detyra” nga KLGJ-ja. Prandaj, në kushtet kur objekt i ankimit kushtetues individual është shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit të KLGJ-së, që e ka shkarkuar nga detyra kërkuesen, Kolegji vlerëson se fillimisht duhet të analizohet juridiksioni i Gjykatës.

5.      Kolegji çmon se neni 140 i Kushtetutës, që parashikon përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe rastet e shkarkimit ose pezullimit nga detyra të tyre, në paragrafin 4 të tij përcakton se “kundër vendimit të shkarkimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese”. Ky rregullim kushtetues është reflektuar edhe në nenin 71, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese shqyrton përfundimisht ankimet kundër vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas neneve 140, pika 4 dhe 148/d, pika 3, të Kushtetutës.

6.      Ndërkohë, sipas dispozitave kalimtare të Kushtetutës, në nenin 179, pika 7, fjalia e dytë, parashikohet se është KPA-ja, që ka mandat 9-vjeçar, që shqyrton ankimet ndaj vendimeve të KLGJ-së, Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për vendosjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të tjerë.

7.      Duke iu referuar dispozitave kushtetuese të lartpërmendura, Kolegji vlerëson se kompetenca për të marrë në shqyrtim ankimet ndaj vendimeve disiplinore të KLGJ-së për vendosjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, për periudhën e mandatit 9-vjeçar të funksionimit të KPA-së, i është dhënë kësaj të fundit. Vetëm në përfundim të mandatit  të këtij organi tjetër kushtetues, kjo kompetencë do të ushtrohet nga Gjykata Kushtetuese. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese është shprehur edhe në raste të mëparshme për përcaktimin e juridiksionit dhe kompetencës së KPA-së në çështjet me objekt kundërshtimin e vendimeve të KLGJ-së për marrjen e masave disiplinore ndaj magjistratëve (shih vendimet nr. 35, 26.02.2021; nr. 28, datë 21.01.2020 të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese). Gjithashtu, sikurse u parashtrua, Kolegji vëren se edhe vetë kërkuesja, për kundërshtimin e vendimit nr. 92, datë 17.03.2021 të KLGJ-së, ka paraqitur kërkesë edhe në KPA.

8.      Në vështrim të sa më lart, Kolegji, duke pasur parasysh faktin se juridiksioni dhe kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të shkarkimit të gjyqtarëve i ka kaluar juridiksionit disiplinor të KPA-së, gjatë periudhës së funksionimit sipas mandatit përkatës, vlerëson se pretendimet që lidhen me procedurën e shkarkimit të kërkueses nuk mund të jenë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese.

9.      Në përfundim, Kolegji çmon se kërkesa nuk është në kompetencën dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, prandaj ajo nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31/a, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

V E N D O S I:

Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.