RTSH 24 Live

Ekonomi

"Garancia rinore" - Punësimi i të rinjve, BE financon projektin pilot deri në 2027

29/07/2024

"Garancia rinore" - Punësimi i të rinjve, BE financon projektin pilot deri në 2027

Numri 200 i të rinjve që mbështet faza pilot e projektit të Garancisë Rinore synon të rritet edhe më shumë deri në fund të vitit 2024.

Zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, flet për kriteret që përfshin zbatimi i kësaj skeme për punësimin e të rinjve.

"Shtylla e parë është punësimi i të rinjve. Shtylla e dytë është formimi i tyre profesional për të lehtësuar më vonë besimin e tyre. Deri në vitin 2027, për tri vite rresht, do të gjejë zbatim të plotë. Gjatë kësaj periudhe numri prej 200 personash që synohej në fillim për mbështetje është arritur që në gjysmën e parë të vitit 2024. Në bashkëpunim edhe me Bashkimin Europian kemi menduar që këtë numër ta rrisim deri në 500 në fund të vitit. 15–29 vjeç ata që do të përfitojnë nga programi, nuk duhet të jenë në punë apo në ndonjë formë arsimimi, sepse qëllimi është të ndihmojmë ata të rinj që nuk kanë pasur shanset për t'u integruar në tregun e punës," tregon zv.ministrja Manjani.

Në pikun e sezonit turistik kur kërkesa për punësim është edhe më lartë, znj. Manjani flet për rrugët që janë ndjekur për të tërhequr sa më shumë të rinj, veçanërisht në këtë sektor.

Zv.ministrja shpjegoi arsyet pse projekti është përfshirë vetë në tri bashki: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

"Ka një interes të shtuar, veçanërisht në sektorin e hoteleri-turizmit, i cili është një ndër sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare dhe një sektor prioritar qoftë nga ana e kërkesës, por edhe e ofertës për t'u punësuar në këtë sektor. Kemi nisur një fushatë shumë të gjerë promovimi të punës të të rinjve në këtë sektor, kemi ofruar programe trajnimi. Objektivi ynë kanë qenë të gjithë nxënësit që studiojnë në shkollën e mesme dhe janë me pushime verore ose nxënësit e arsimit profesional në degët e hoteleri-turizmit.

Dy janë portat hyrëse: nëpërmjet uebsajtit, ku të rinjtë shprehin interesin për t'u regjistruar për programin dhe më pas, pasi bëhet filtrimi i tyre; porta tjetër e hyrjes është nëpërmjet zyrave të punës. Shtrirja e zyrave është e kufizuar krahasimisht me kërkesën e lartë, prandaj i është dhënë mundësia të rinjve që të bëjnë regjistrimin nëpërmjet portalit ose përmes organizatave rinore. Nga momenti i regjistrimit, brenda një periudhe katërmujore, zyra e punës ka për detyrim në kuadër të programit që t'i bëjë një ofertë punësimi ose formimi profesional këtyre rinjve," deklaroi zv.ministrja Manjani.

Garancia rinore synon që deri në vitin 2027 të gjejë zbatim në formën e tij të plotë.

Gazetare: Elda Lame

/rtsh.al/