RTSH 24 Live

Aktualitet

Francë, test negativ për ata që udhëtojnë nga vendet e BE-së

22/01/2021

 Francë, test negativ për ata që udhëtojnë nga vendet e BE-së

Franca ka njoftuar se duke filluar nga e diela në mesnatë, të gjithë udhëtarët brenda Bashkimit Evropian duhet të kenë, përpara se të nisen për në Francë, certifikatën e një tamponi molekular negativ të kryer 72 orë para nisjes.

Testi do të jetë i detyrueshëm për “të gjitha udhëtimet jo thelbësore”. Punëtorët ndërkufitarë dhe punëtorët e transportit tokësor janë të përjashtuar nga ky detyrim.

Një bllokim i mëtejshëm në Francë ndoshta do të bëhet një domosdoshmëri absolute, nëse qarkullimi i variantit anglez të koronavirusit rritet ndjeshëm, paralajmëroi të enjten ministri i Shëndetësisë Olivier Véran.

Ai shtoi se përhapja e variantit në territorin francez mund të jetë një faktor përcaktues në strategjinë që qeveria përdor për të luftuar virusin në ditët dhe javët e ardhshme.

Qytetarët në Francë aktualisht duhet të respektojnë një shtetrrethim të rreptë mbarëkombëtar nga ora 6 e pasdites deri në 6 të mëngjesit çdo ditë dhe duhet të jenë jashtë vendbanimeve të tyre ndërmjet kësaj fashe orare vetëm për një arsye të vlefshme dhe me një certifikatë përjashtimi.

Dyqanet dhe shërbimet, përfshirë bibliotekat publike, janë të hapura por duhet të mbyllen në orën 6 pasdite, por baret, restorantet, kinematë, teatrot, muzetë dhe palestrat mbeten të mbyllura.

Ndërkaq Gjermania ka kaluar 50 000 viktima që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit. Kjo u njoftua nga Instituti Robert Koch, organi shtetëror që merret me kontrollin e sëmundjeve infektive, në buletinin e tij të përditshëm.