RTSH 24 Live

Politikë

"Firmosi 14 VKM 3 ditë pas shkarkimit", Kalaja thirrje SPAK për hetimin e Ahmetajt: Ka konsumuar 2 vepra penale

13/08/2022

"Firmosi 14 VKM 3 ditë pas shkarkimit", Kalaja thirrje SPAK për hetimin e Ahmetajt: Ka konsumuar 2 vepra penale

Kryetarja e Komisionit të Apelimit Adriana Kalaja në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike ka deklaruar se ish-zv. Kryeministri Arben Ahmetaj ka konsumuar vepër penale për firmosjen e VKM-ve 3 ditë pas shkarkimit të tij. Kalaja i ka bërë thirrje SPAK që të nisë hetimet për Arben Ahmetajn. Kalaja ka bërë me dije se 14 prej VKM-ve në muajin korrik janë firmosur nga Ahmetaj 3 ditë pas shkarkimit të tij.

Sipas Kalajas, VKM-ja e firmosur nga Ahmetaj, duke mos patur një tagër të tillë (pasi ishte i shkarkuar) është i pavlefshëm nga pikëpamja civile, dhe konsumim i 2 veprave penale.

"Ish-Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj ka konsumuar vepër penale për firmosjen e VKM-ve 3 ditë pas shkarkimit të tij. Për të njëjtën shkelje u dënua ish Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. SPAK të nisë hetimet.

Është bërë e modës, që Edi Rama jo vetëm që nuk firmos vetë, por i ruan Vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM) për pikun e verës.

Gjatë korrikut, ndryshe nga muajt e tjerë, kanë dalë shumë VKM dhe 14 prej tyre janë firmosur nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj më datë 27/7/ 2022. Do të thotë 3 ditë pas shkarkimit të tij. Një nga 14 VKM-të që ka firmosur ish Zv. Kryeministri Ahmetaj është ai me Nr.512, më datë 27 korrik. Së pari, duhet të sqarojmë publikun se nuk ka patur një mbledhje të Këshillit të Ministrave në këtë datë. Së dyti, VKM-ja e firmosur nga zoti Ahmetaj, duke mos patur një tagër të tillë (pasi ishte i shkarkuar), jo vetëm është absolutisht i pavlefshëm nga pikëpamja civile, por është edhe konsumim i 2 veprave penale.

Atyre të “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, parashikuar nga neni 249 i Kodit Penal. Kjo shkelje është e njëjta me atë për të cilën u dënua ish Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, gjë që do të thotë se precedenti ekziston. Në këto kushte, Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të veprojë menjëherë dhe të nisë hetimet për veprat penale të konsumuara nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj”, tha Kalaja.

/rtsh.al/