RTSH 24 Live

Sociale

“Festa e kazanit” në Këlcyrë, promovim traditës shekullore të prodhimit të rakisë

19/10/2021

“Festa e kazanit” në Këlcyrë, promovim traditës shekullore të prodhimit të rakisë

“Festa e kazanit” ishte aktiviteti i organizuar nga bashkia e Këlcyrës për të dytin vit radhazi, që përkon me kohën kur në kantinat e Luginës së Vjosës nxirret rakia.

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në fundjavën që lamë pas, u promovuan prodhimet e kulinarisë së zonës si rakia, vera, djathi, kosi, glikotë dhe reçelrat e shumëllojshme të prodhuara në mënyrë artizanale nga fermerët dhe prodhuesit e zonës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro së bashku me kryetaren e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, dhe kryetarin e Bashkisë së Këlcyrës Klement Ndoni, vizituan nga afër stendat ku fermerët dhe prodhuesit kishin prezantuar prodhimet e tyre.

“Rakia e vera në këto anë është traditë shekullore, ama festa rreth tyre është një nisme jo vetëm për një fundjavë ndryshe për banorët e zonës, jo vetëm një rast për të prezantuar prodhimet e fermerëve, por një ftesë për vizitorët që pak ose aspak e njohin trevën e Këlcyrës”, thekson Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bën të ditur se “Këlcyrën duam dhe duhet ta rikualifikojmë edhe si hapësirë urbane edhe si jetë ekonomike”.

“Kjo zonë e ka të gjithë potencialin të mos jetë thjeshtë një korridor për të shkuar në Përmet, por të kthehet në një ndalesë të posaçme në hartën ekoturistike dhe agroturistike të qarkut të Gjirokastrës”, tha Kumbaro.

Ky aktivitet ka marrë emrin “Festa e kazanit”, pasi tetori është muaji kur nxirret rakia me kazan, sipas traditave të kësaj zone.