Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë mbledhjes me asamblenë socialiste në njësitë nr. 3 dhe 4 në Tiranë se Shqipëria do të ketë përfitime të mëdha nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se ky është një hap historik që do të sjellë mbështetje të strukturuar për Shqipërinë, si një "frymëmarrje e re" që do ta ndihmojë vendin të zhvillohet më tej.
“Shqipëria do të marrë frymëmarrje të re se do të ketë mbështetje të strukturuar se është tamam si një familje ku më të mëdhenjtë ndihmojnë më të vegjlit. Disa nga vendet që kanë hyrë në BE të parat pas resë së komunizmit kanë qenë përfituese të mëdha dhe janë në pozitën tani që po kthehen në kontribuues. Ne do të hyjmë, do të jemi përfitues. Por përtej përfitimeve të natyrës ekonomike, përfitimi më i madh është të bëjmë hakmarrjen më të madhe shqiptare për të gjithë poshtërimet që na kanë bërë të tjerët ose që i kemi bërë vetes, kemi qenë vend dhe komb i poshtëruar”, tha Rama.
Rama theksoi se përfitimi më i madh nga ky proces është heqja e "e nënvlerësimit" që Shqipëria ka përjetuar për shumë kohë. Ai e quajti këtë mundësi si "hakmarrjen më të madhe shqiptare" ndaj atyre që kanë përçmuar vendin, duke theksuar se shqiptarët do të mund të ndihen më të barabartë dhe të dinjitetshëm përpara Evropës.
“Tani kemi ardhur shumë afër mundësisë për të marrë hak, për të marrë hak në kuptimin pozitiv për të hequr përgjithmonë nga qafa zgjeben e nënvlerësimit dhe të të parit nga lart poshtë, të të trajtuarit si njerëz të dorës së dytë dhe për t’u dhënë të gjithë atyre që janë gjallë mundësinë të ndihen të barabartë sa herë të mendojnë për Evropën. Kur ta shikojnë Brukselin si një vend si kryeqyteti i disave, por si kryeqyteti i tyre.”, u shpreh ai.
/rtsh.al/