RTSH 24 Live

Kulturë

“Ditët e Kujtesës”/ I biri i Mehmet Shehut dhe nipi i mjekut nazist rrëfejnë ndikimin e krimeve në art të etërve dhe gjyshërve të tyre

23/02/2023

“Ditët e Kujtesës”/ I biri i Mehmet Shehut dhe nipi i mjekut nazist rrëfejnë ndikimin e krimeve në art të etërve dhe gjyshërve të tyre
Gazetare: Magdalena Alla 

Nëse rëndom bëhen akuza për “bijtë e etërve komunistë”, Bashkim Shehu, i biri i Mehmet Shehut distancohet nga babai i tij dhe e quan një dramë që “njeriu që i ka dhënë jetën, ua ka marrë shumë të tjerëve”.

Në një dialog bashkë me regjisorin austriak, Nils Olger, ky nip i një mjeku nazist, të dy rrëfejnë në “Ditët e Kujtesës” se sa ka ndikuar jeta e të afërmve të tyre në artin e tyre.

Në kuadër të edicionit të 8-të të Ditëve të Kujtesës, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulture, u shfaq edhe dokumentari 100 minutësh i Nils Olger, me titullin "Nje kuti e hekurt", ku paraqiten shumë fotografi që gjyshi nazist, Olaf Jürgenssen bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, e që mbijetuan në një kuti hekuri, për t’i gjetur e bërë të njohura Nils Olger.

Në film, ai krahason peizazhet dhe ndërtesat në foto me ato aktuale dhe përpiqet të bisedojë me njerëz që janë ende në gjendje të kujtojnë ngjarjet e asaj kohe. Pak para vdekjes, gjyshi i jep një intervistë nipit të tij Nils, duke distancuar veten nga krimet e nazistëve.

Një qasje e vështirë pasi prekin ndjenjat e mia por dhe ndjenjat më delikate të audiencës. Gjyshi dhe gjyshja ishin naivë, ishin shumë të rinj. Gjyshi e konsideronte veten spektator që e vuante atë situatë" tha Nils Olger.

 Në 4 romanet e tij të fundit, Bashkim Shehu shkruan për vetëvrasjen, një nga  pistat e vdekjes misterioze në vitin 1981 të ish kryeministrit shqiptar tregon se sado të përpiqesh letërsia merr elementë autobiografikë.

"Për mua është një dramë që një njeri kaq i afërt si babai ka kontribuar në marrjen dhe shkatërrimin e jetës së të tjerëve. Letërsinë nuk e kam përdorur për këtë gjë. 6 romat e fundit janë fiksion, në 4 vetëvrasja zë vend qëndror. Zhgarravisim në rërë dhe papritur shohim që kemi bërë autoportret” tha Bashkim Shehu.

/rtsh.al/