RTSH 24 Live

Kulturë

"Ditët e Kujtesës", ceremonia hapet në Shkodër

19/02/2023

"Ditët e Kujtesës", ceremonia hapet në Shkodër

Janë çelur zyrtarisht në vendin tonë "Ditët e Kujtesës" ndërsa aktivitetet kanë nisur nga Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin drejtues institucionesh dhe personalitete që shprehën rëndësinë e ditëve të tilla që bartin ngarkesë emocionale dhe që lidhen me të shkuarën e errët të regjimit monist si dhe këmbëngulën që edhe vendi ynë të ketë një ditë përkujtimore për viktimat e asaj periudhe.

Edhe Kreu i OSBE në Shqipëri vuri theksin në mesazhin kryesor të Ditëve të Kujtesës që ka të bëjë me të shkuarën, e cila nuk duhet harruar por njëkohësisht edhe me faktin që Evropa Lindore po përjeton sërish një moment të vështirë siç është konflikti i armatosur në Ukrainë nga Rusia.

Në emër të personave që kanë vuajtur gjatë regjimit monist foli edhe përfaqësuesi i ish të burgosurve politikë Zenel Drangu ndërsa pjesë e ceremonisë ishte edhe kryetari i bashkisë Bardh Spahia.

Pas fjalimeve përshëndetëse, hapësira iu la ekspozitës ndërkombëtare European Gulags si dhe disa pjesëve muzikore të instrumentistit të shquar Gaspër Çurçija, i cili u dënua për ngjarjet e Festivalit të 11-të Kombëtar duke u ekzekutuar më pas me pushkatim.

Aktivitetet e Ditëve të Kujtesës do të vijojnë për 10 ditë me radhë deri më 28 shkurt duke vazhduar traditën si eventi më i rëndësishëm kushtuar përballjes me të kaluarën tonë totalitare komuniste.

/rtsh.al/