RTSH 24 Live

Kulturë

“Amaneti i pathënë”, një film dokumentar dedikuar jetës dhe veprës së Marko Bellos

13/09/2023

“Amaneti i pathënë”, një film dokumentar dedikuar jetës dhe veprës së Marko Bellos

“Amaneti i pathënë” është film dokumentari i regjisorit dhe skenaristit të njohur Esat Telitit i shfaqur mbrëmë si premierë në kinema “Millenium”, dedikuar diplomatit, gazetarit, politikanit dhe pedagogut Marko Bello, i ndarë nga jeta tre vite më parë.

Me mjeshtri artistike, Esat Teliti solli për familjen, miqtë dhe publikun, një profil shumë dimensional të Marko Bellos përmes dëshmive, arkivave filmike dhe rrëfimeve në kohë të ndryshme.

“Film dokumentari përcjell mesazhe paqeje, optimizmi, lirije. Vetë Marko ishte personifikim i lirisë“, tha Teliti.  

Për bashkëshorten e Marko Bellos, dokumentari ka dhe një tjetër mesazh përtej asaj shpirtërores.

“Dokumentari promovon një model paksa të mënjanuar në shoqërinë shqiptare dhe them se një shoqëri përparon nga njerëz që kanë ideale, idealistët. Dhe Marko ishtë njëri prej tyre“, tha bashkëshortja Silvana Bello.

Por sa i mungon politikës, një figurë përtej të majtës dhe të djathtës si i Marko Bellos?

“Kualiteti i Markos ishte kualitet i njeriut të mirë, i cili përtej politikës përpiqej të bënte çfarë ishte më e mira për vendin e vet. Prandaj kanë mbetur fare pak si profili i Marko Bellos në politikën shqiptare” tha Fatmir Mediu.   

Dokumentari “Amaneti i Pathënë” erdhi në ditëlindjen e munguar të të ndjerit Marko Bello, si për të thënë se të mirët kanë vetëm ditë të lindjes.  

Gazetare: Jonela Sagajeva

/rtsh.al/