RTSH 24 Live

Aktualitet

“Air France” nis fluturimet me Shqipërinë

09/07/2022

“Air France” nis fluturimet me Shqipërinë

“Air France”, një nga kompanitë më të njohura ajrore ndërkombëtare nisi fluturimet me Shqipërinë.

Të shtunën në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Tiranë,“Air France” uli avionion e parë të saj.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, tha se “është kënaqësi të kemi “Air France” në Shqipëri dhe të pranishëm sot këtu zv. presidentin ekzekutiv të kompanisë “Air France” Oltion Çarkaxhia, që është shqiptar”.

Balluku vuri në dukje se është nder për aeroportin e Tiranës të ketë “Air Francë” që është ambasadori më i mirë i ekselencës franceze që shkon kudo në botë në destinacione të ndryshme.

“Ky është një hap i duhur në kohën e duhur, pasi në aeroportin e Tiranës ne kemi nisur investime të rëndësishme që i përgjigjen kërkesave të kompanive ajrore europaine, siç është zgjerimi i terminalit apo instalimi i proceseve të digjitalizuara në shërbime”, tha ministrja teksa bëri të ditur se, në fund të korrikut do të përfundojmë investimi në ndërtimin e terminalit të ri të aeroportit, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe shërbimit në aeroport.

“Tregu shqiptar do të jetë me interes për kompaninë franceze”, tha Balluku.

“Air France”, është një nga kompanitë më të mëdha europiane e botërore të fluturimeve ajrore. E krijuar në vitin 1933 ajo kryen fluturime në mbi 300 destinacione.

Në Shqipëri ajo do të fluturojë dy herë në javë.

“Nëse vijon dhe ecën mirë programi mundet të kalojmë në fluturime ditore, të paktën për kohën e verës dhe për sezonin e dimrit të jetë një herë në javë” tha zv. presidentin ekzekutiv të kompanisë “Air France” shqiptari Oltion Çarkaxhia.

Kompania franceze rifillon fluturimet drejt Tiranës, 32 vjet pas fluturimit të fundit nga Rinasi.

/rtsh.al/