RTSH 24 Live

Ekonomi

“Agro Puka”, ekspozohen 200 produkte bio për banorët e zonës dhe vizitorët

26/09/2021

“Agro Puka”, ekspozohen 200 produkte bio për banorët e zonës dhe vizitorët

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca vizitën e parë në terren si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e zhvilloi në Pukë. “Agro Puka”, një shoqatë prej 300 fermerësh feston përvjetorin e 20 të krijimit, me një demonstrim të produkteve bujqësore dhe blegtorale në sheshin e qytetit.

Minstrja Krifca ishte e pranishme për të vlerësuar punën, dhe për të njohur përkushtimin e shoqatës për të gjitha përpjekjet dhe mundimin e fermerëve për t’u organizuar e kooperuar së bashku e për të forcuar njëri-tjetrin.

Gjatë takimit me fermerët pukianë, Krifca theksoi se, “ky lloj bashkëpunimi i ndihmon ata të prodhojnë së bashku, të mësojnë nga njeri-tjetri, të certifikojnë produktet, të shtojnë vlerë e të marrin çmime më të larta”.

Minstrja vuri në duke se, vërtet që bashkimi bën fuqinë e fermerëve dhe do të punoj fort që ky model bashkimi të shërbejë si shembull e të shumëfishohet në rajone të tjera bujqësore në vend.

Në kuadër të këtij eventi u zhvillua dhe panairi i produkteve bujqësore dhe blegtorale që e ktheu Pukën këtë fundjavë në kryeqendrën e produkteve organike, teksa mbi 200 produkte u ekspozuan në qendrën e qytetit të Pukës nga fermerë, blegtorë dhe prodhues të tjerë, anëtarë të shoqatës “Agro Puka”.

Produktet organike tërhoqën vëmendjen edhe të shumë miqve që udhëtuan drejt Pukës, jo vetëm nga Tirana, por edhe zona të tjera të vendit për të siguruar produktet bio të zonës.

Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj në fjalën e tij tha se “aktivitetet e kësaj fundjave janë pjesë e udhëtimit të Pukës drejt zhvillimit të turizmit teksa e cilësoi Pukën në një destinacion të mirëfilltë turistik ku ndërthuret e natyrshmja me kontributin njerëzor”.

Gjonaj i lumtur për arritjet e deritanishme premtoi mbështetje për zhvillimin e bujqësisë, teksa i ftoi fermerët të ruanin farërat autoktone, një vlerë e shtuar e prodhimit vendas.

Këtë vit organizatorët, bashkia e Pukës dhe “AgroPuka” e kishin menduar panairin një festë për zonën, ku u ndërthurën dhe vallet tradicionale, muzika dhe programe të tjera artistike.