RTSH 24 Live

Aktualitet

 “A i druhet Salianji, përplasjes me të burgosurit në Fier”, avokati: Shteti t’i garantojë siguri

4 orë para

 “A i druhet Salianji, përplasjes me të burgosurit në Fier”, avokati: Shteti t’i garantojë siguri

Ledio Braho, avokati i deputetit demokrat Ervin Salianji tha se klienti i tij u nis drejt burgut të Fierit ku pritet të vuajë dënimin me një vit burg, vendim i marrë nga Gjykata e Apelit për veprën penale kallëzim i rremë.

U nis vullnetarisht, u nis drejt burgut që i ka caktuar regjimi që është burgu i Fierit. Që mbrëmjen e sotme do të shkojë drejt burgut të Fierit”, u shpreh avokati Braho.  

I pyetur nga gazetarët nëse Salianji i druhet ndonjë përplasje me të burgosurit e tjerë, ish-zyrtarë të Partisë Socialiste ndaj të cilëve deputeti demokrat ka adresuar një sërë akuzash dhe denoncimesh, Braho tha se “nuk ka asnjë problematikë të tillë nga informacionet që ne kemi megjithatë, kjo është detyrë e shtetit, nuk është detyrë e z. Salianji që të shmangë përplasje në burgje

Braho tha më tej se nuk është ky problemi themelor por i asaj që është denoncuar prej ditës së djeshme se vendimi i gjykatës ndaj Salianjit ishte i motivuar politikisht.

Gjithsesi nuk është ky problemi i z. Salianji, problemi është është ajo që ne kemi që prej ditës së djeshme që e themi, që jemi në kushtet e një vendimmarrje politike që u ekzekutua sot vullnetarisht nga z. Salianji”, tha më tej avokati Braho.

/rtsh.al/