RTSH 24 Live

Rajon

26 vjet nga masakra e Srebrenicës

11/07/2021

 26 vjet nga masakra e Srebrenicës

Bosnja e Hercegovina shënon sot 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën.  Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën.  Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë. Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Ndërsa më 11 korrik ndodhi maskara më e madhe në mes të Europës, rreth 8 mijë burra dhe djem u vranë nga serbët brenda një nate dhe u varrosën në varre masive. Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Mbi masakrën reagoi edhe Kryeministri Rama i cili ka publikuar në rrjetet sociale foton e një boshnjakeje që vajton në varreza humbjen e të afërmve.  “11 korrik, 26 vjet nga genocidi i Srebenicës”, shkruan Rama në rrjetet sociale.