RTSH 24 Live

Europë

Reuters: Si 'gangsterët' ballkanikë u bënë furnizuesit kryesorë të kokainës në Evropë

03/05/2024

Reuters: Si 'gangsterët' ballkanikë u bënë furnizuesit kryesorë të kokainës në Evropë

Ky artikull bazohet në mijëra faqe të dhënash policore, raporte të inteligjencës dhe dokumente gjyqësore nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe Amerika Latine, si dhe intervista me më shumë se dy duzina zyrtarë në të dy anët e Atlantikut.

Materiali portretizon trafikantët ballkanikë si një grup sipërmarrës specialistësh të logjistikës të shartuar në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit të kokainës, një pozicion që i ka bërë ata të domosdoshëm për sindikatat e tjera që kërkojnë të lëvizin ngarkesat jashtë Amerikës së Jugut.

Kriminelët e Ballkanit “janë më se të lumtur të punojnë me izraelitët, holandezët, suedezët, dominikanët, triadat kineze”, tha ish-zyrtari i DEA-s. "Ata do të punojnë, me të vërtetë, me këdo." Megjithatë, ata janë larguar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, tha ai, të bindur nga dominimi i karteleve meksikane dhe policia më e ashpër e SHBA.

BEOGRAD- Trafikanti i kokainës, Slobodan Kostovski u arratis nga një burg brazilian dhe u kthye në Evropë me një pasaportë false. Por nuk nisi një jetë të re. Sipas "Reuters", serbi iu rikthye zakoneve të vjetra. Nga 2018, kur fitoi lirinë, u arrestua gushtin e shkuar në Beograd për 2.7 ton kokainë që kishte porositur nga Brazili. Droga u gjet në bordin e një anijeje 22 metra të kapur pranë ishujve Kanarie të Spanjës. I ashtuquajturi "Gjenerali", kishte trafikuar "sasi të mëdha" pluhuri në Evropë për një periudhë të gjatë kohore. Kostovski, tani 70 vjeç, kishte vite që jetonte në Brazil ku edhe kishte ngulur "rrënjët". Sipas dokumentit të inteligjencës serbe, në këtë vend ai siguroi lidhje të forta me prodhuesit e kokainës në Kolumbinë fqinje, Bolivinë dhe Perunë dhe të organizojë transportin e drogës në Evropë. Por edhe pse është vendosur para provave të pakundërshtueshme, nuk e ka pranuar fajin. Ende ndodhet në burg, në Beograd, në pritje të gjyqit të tij.

Kthimi i Kostovskit në Evropë në vitin 2018 përkoi me një moment të favorshëm për tregtinë e kokainës në kontinent. Ndërsa prodhimi i Amerikës së Jugut u rrit gjatë dekadës së fundit, trafikantët ballkanikë ishin të pozicionuar në mënyrë të përkryer për të nxitur kërkesën evropiane. Ata tani dominojnë logjistikën komplekse të lëvizjes së kokainës nga laboratorët e prodhimit të Andeve tek shitësit ambulantë në Paris, Londër dhe Berlin, duke e kthyer Europën në tregun nr.1 të kokainës në botë.

"Kur flasim për dërgesa në shkallë të gjerë për të furnizuar kontinentin evropian, i vetmi grup që është hegjemon është Ballkani," tha Ivo Silva, një detektiv i policisë federale braziliane që hetoi Kostovskin në fund të viteve 2000 si pjesë e Operacionit "Niva", një nga hetimet e para të mëdha për trafikantët ballkanikë të kokainës që vepronin jashtë Brazilit.

Bandat nuk janë monolite dhe janë përfshirë në grindjet e tyre të përgjakshme, të brendshme, kolektivisht këto grupe janë quajtur "Karteli Ballkanik" nga forcat e rendit. Rrjetet e tyre kanë rezultuar të vështira për t'u depërtuar dhe akoma më e vështirë për t'u shkatërruar.

"Nuk ka asnjë strukturë të rreptë hierarkike për Kartelin Ballkanik,"- i tha Reuters një ish-zyrtar i Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA), i cili ka hetuar këto banda.

"Nuk ka kumbar."

Gjurmët e grupeve të Ballkanit mund të gjenden tani në pjesën më të madhe të kokainës që hyn në Evropë çdo vit. Qendra e Analizës dhe Operacioneve Detare, një agjenci evropiane që koordinon kalimin e narkotikëve në ujërat e Atlantikut, tha se një rekord prej 9.11 tonësh u kap në det vitin e kaluar, një rritje prej 300% që nga viti 2015. Të dhënat e fundit të konfiskimeve sugjerojnë se rritja e kokainës në Evropë – dhe trafikantët ballkanikë që e drejtojnë atë – nuk po ngadalësohen. Në portin belg të Antwerp-it, porta kryesore e Evropës për kokainën e Amerikës së Jugut, autoritetet kapën një rekord prej 116 ton vitin e kaluar. Doganat holandeze kapën pothuajse 60 ton në vitin 2023, gati një e pesta nga totali i vitit 2022.

Rajoni i Ballkanit është një gadishull në Evropën Juglindore që shtrihet nga Deti Adriatik deri në Detin e Zi. Ndërsa përkufizimet gjeografike ndryshojnë, vendet që konsiderohen gjerësisht si shtete ballkanike përfshijnë: Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Slloveninë dhe Rumaninë. Autoritetet thonë se historia e gjatë e rajonit lidhur me kontrabandën dhe emigrimin ka qenë element thelbësor për shtimin e trafikantëve.

Ky artikull bazohet në mijëra faqe të dhënash policore, raporte të inteligjencës dhe dokumente gjyqësore nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe Amerika Latine, si dhe intervista me më shumë se dy duzina zyrtarë në të dy anët e Atlantikut. Materiali portretizon trafikantët ballkanikë si një grup specialistësh të logjistikës të shartuar në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit të kokainës, një pozicion që i ka bërë ata të domosdoshëm për sindikatat e tjera që kërkojnë të lëvizin ngarkesat jashtë Amerikës së Jugut.

Kriminelët e Ballkanit “janë të lumtur të punojnë me izraelitët, holandezët, suedezët, dominikanët, dhe kinezët”, tha ish-zyrtari i DEA-s.

“Kur flasim për dërgesa në shkallë të gjerë për të furnizuar kontinentin evropian, i vetmi grup që është hegjemon është Ballkani.”

Në Amerikën Latine, prania e Ballkanit është tani më e fuqishme se kurrë. Zyrtari tha se ka më shumë se 50 qeliza kryesore trafikimi nga Ballkani Perëndimor që punojnë në të gjithë Amerikën Latine, plus me qindra gangsterë të shpërndarë nëpër rajon. Detektivi i policisë federale braziliane, Alexandre Custodio, i cili vitin e kaluar udhëhoqi një operacion të madh kundër kontrabandistëve ballkanikë, tha se ai ishte "i impresionuar" nga dominimi i tyre në tregtinë transatlantike të kokainës.

Autoritetet thonë se epërsia e kriminelëve ballkanikë në tregtinë globale të kokainës është fryt i investimit të tyre dy dekadash në njerëz dhe lidhje në të dy anët e Atlantikut. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në 1991 dhe konfliktit etnik që pasoi, bëri që kriminelët e Ballkanit të ndërtonin grupe. Kur paqja u vendos në rajon në fillim të viteve 2000, disa prej tyre u drejtuan në Amerikën Latine në kërkim të mundësive të reja. Atje ata ndërtuan aleanca me grupe të fuqishme kriminale, duke përfshirë Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë dhe Komandën e Parë të Kryeqytetit të Brazilit.

Zotërimi i tyre gradual i rrugës së kontrabandës transatlantike u ndihmua nga njohuritë detare të fituara gjatë shekujve të detit ballkanik. Mijëra burra nga rajoni punojnë në anije mallrash, disa prej të cilëve janë provuar të ndjeshëm ndaj korrupsionit ose detyrimit, sipas autoriteteve kundër narkotikëve, raporteve të policisë dhe dokumenteve të gjykatës. Trafikantët ballkanikë japin ryshfet ose kërcënojnë marinarët ballkanikë të manipulojnë kontejnerët e transportit, të fshehin kokainën në sendet e tyre ose ta transportojnë atë në anijet e tyre nga varkat më të vogla ndërsa janë në det.

Kostovski, serb i burgosur, ishte pjesë e valës së parë të këtyre gangsterëve që u vendosën në Amerikën Latine. Ai "ra" në radarin e tyre në vitin 2006, pas një informacioni nga policët gjermanë, sipas raportit të Operacionit Niva prej 3025 faqesh të përgatitur nga policia federale e Brazilit. Deri në atë kohë, Kostovski akuzohej për grabitje të armatosur, vrasje pa paramendim dhe arratisje nga burgu në Suedi dhe Holandë. Vendimi i Kostovskit për t'u vendosur në Brazil nuk ishte i rastësishëm, gjithmonë duke pasur parasysh vijën e gjerë bregdetare dhe afërsinë me vendet prodhuese të kokainës.

Kostovski udhëtonte shpesh, duke përdorur pasaporta me emra të rremë që e bënin të vështirë gjurmimin e lëvizjeve të tij. Ish-agjenti i DEA tha se policia nuk e kuptonte se sa të mëdhenj ishin bërë këta "lojtarë" të Ballkanit.

Shpejt, Policia evropiane filloi të hetojë dy rrjete të koduara të komunikimit – EncroChat dhe Sky ECC – që ata besonin se përdoreshin gjerësisht nga ballkanasit. Brenda disa viteve, policët francezë, holandezë dhe belgë përgjuan kanalet e komuunikimit dhe zbuluan një ekosistem të zhurmshëm të botës së krimit, ku të dyshuarit flisnin hapur për kontrabandën e drogës, armë dhe komplote vrasjesh. Tani EncroChat dhe Sky ECC nuk funksionojnë më. Por pasojat e përgjimeve vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, me më shumë se 6,500 arrestime që nga viti 2020.

Ligjshmëria e përgjimeve të policisë është kundërshtuar nga të arrestuarit dhe avokatët e tyre. Pavarësisht disa kapjeve të trafikantëve të mëdhenj të Ballkanit, ata vazhdojnë të mbushin Evropën me kokainë për shkak të taktikave të tyre gjithnjë e në përmirësim.

 

/rtsh.al/