RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Kush flirton me korrupsionin, ministër, deputet apo kryebashkiak nuk ka asnjë punë me ne!

07/05/2024

Rama: Kush flirton me korrupsionin, ministër, deputet apo kryebashkiak nuk ka asnjë punë me ne!

Para ministrave dhe deputetëve socialistë, të mbledhur në Kryesinë e Kuvendit, kryeministri Edi Rama, teksa theksoi vendosmërinë për të luftuar korrupsionin, paralajmëroi këdo që do të “guxojë të fusë duart në xhepat e qytetarëve”.

Kreu i qeverisë u tregua i prerë kur tha se kushdo që kapet në korrupsion, qoftë ky ministër, deputet apo kryebashkiak, nuk do të ketë më vend në radhët e socialistëve.

Kush flirton me korrupsionin, kush i tradhton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, deputet apo ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni dhe nuk ka asnjë punë me ne. Ashtu sikundër kush është zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe në xhepat e këtij populli, nuk është ne, nuk ka sesi të jetë ne dhe as të kërkojë gjë tjetër nga ne, përveç përbuzjes. Çdo anëtar i kësaj partie që bën korrupsion është një tradhtar i dyfishtë. Kur qëllon që një hajdut i tillë zbulohet nga policia, lajmi se  kemi një parazit më pak në trupin tonë është shumë i mirë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë përmendi reformën në drejtësi, teksa tha se ndaj “zjarrit të saj” nuk është imune as partia që ai drejton.

Askush më parë nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik. Po shohim rrëzimin e monumentit më të shëmtuar të trashëgimisë sonë, monumentin e pandëshkueshmërisë. PS do ta bëjë të pakthyeshëm këtë progres të dukshëm për sytë e të sotmes, por asesi të mjaftueshëm për sytë e të nesërmes.

Ne nuk e kemi mundur korrupsionin, por jemi në mes të një lufte reale të stërngatërruar dhe të stërmundimshme. Pikërisht sepse e kemi me të vërtetë këtë luftë, nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj. Ne ja kemi hequr vetes me ndërgjegje, guxim dhe vullnet çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave të asaj gryke zjarri. Sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik. Ne i kemi hapur rrugë edhe furnizimit special me municion të asaj gryke zjarri, i kemi vendosur drejtësisë në dispozicion një buxhet pagash si askund në Europë. Qëndrojnë në majën më të lartë të pagave. As forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar betejën me korrupsionin edhe pse kemi pastruar shumë vatra, ka ende shumë për të pastruar. Edhe brenda partisë tonë mbetet shumë punë për imunizimin nga korrupsioni”, tha Rama.

Për të vënë në dukje arritjet e qeverisë së tij gjatë këtyre 3 mandateve, Rama vuri përballë tablon e sotme të Shqipërisë dhe atë të viteve më parë, kur vendi qeverisej nga PD-ja. Megjithatë ai theksoi se ka ende shumë punë për t’u bërë.

Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve. Kur Shqiptarët na votuan dhe na dhanë mandatin e parë, Shqipëria ishte në pikën më të ulët, rendi ishte përtokë, krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij, vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë. Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo pikëpjekje të qytetarit me shtetin. Kjo ishte pasqyra e realitetit të hidhur në Shqipërinë e një dekade më parë. Sot pasqyra është krejt tjetër. Vendosja përballë e dy tablove të Shqipërisë ka rëndësi vetëm për ta parë sa më objektivisht kontekstin sotëm të përpjekjes sonë për nevojën e një dallge të re reformimi në funksion të procesi të shtetbërjes europiane të shtetit tonë. PS është prej një dekade në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real dhe të respektuar në botë”, theksoi kryeministri.

/rtsh.al/