RTSH 24 Live

Europë

Protesta pro-palestineze në Paris, policia largoi studentët nga universiteti i shkencave 

03/05/2024

Protesta pro-palestineze në Paris, policia largoi studentët nga universiteti i shkencave 

Policia franceze ndërhyri të premten në universitetin elitar të shkencave politike në Paris për të larguar dhjetëra studentë që organizuan një protestë në mbështetje të Gazës. 

Ditët e fundit demonstratat kanë përfshirë institucionet arsimore në disa qytete franceze, duke mbështetur protestat masive pro-palestineze të universiteteve amerikane. Një protestuese në universitetin elitar të Shkencave politike tha për AFP se autoritetet e universitetit u kishin dhënë vetëm  20 minuta kohë për t'u larguar përpara se t’i evakuonin me forcë. "Është e papranueshme që universiteti kryesor i Evropës, dhe i dyti më i madh në botë për shkencat politike, nuk është në gjendje të mbajë një qëndrim sipas ligjit ndërkombëtar për situatën aktuale në Gaza,"- tha një studente, pasi u evakuua së bashku me aktivistët e tjerë pro-palestinezë.  

Drejtuesi i këtij institucioni të lartë arsimor tha se ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e atij vendimi të vështirë, por shtoi se nuk arritën ta shmangnin për shkak të dështimit të dialogut me studentët. 

Policia e Parisit tha se 91 persona u larguan nga universiteti, ndërsa shefi i policisë tha se do të ndërhynin ndaj protestave të tilla sa herë që t’u kërkohej. 

Universiteti mbylli ndërtesat e tij kryesore të premten dhe bëri thirrje që mësimi të zhvillohej në distancë. Pas evakuimit, rreth 300 persona demonstruan në sheshin Pantheon që ndodhet pranë universitetit të shkencave Po në Paris. 

Protesta pro palestineze gjatë së premtes u zhvilluan edhe në Berlin e Londër. 

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /