RTSH 24 Live

Ekonomi

Profesionet e lira - Flet për RTSH, Niko Lera, Drejtor i Përgjithshëm në MF

01/05/2024

Profesionet e lira - Flet për RTSH, Niko Lera, Drejtor i Përgjithshëm në MF

Ata kanë qenë në pushim tatimor duke filluar nga vitit 2015, por nuk do ta përfitojnë ende këtë lehtësi tatimore. Profesionet e lira do të tatohen nga fitimi neto i tyre dhe kjo do të realizohet brenda datës 30 qershor për këstin e parë të detyrimit ligjor.

Pjesa dërrmuese e këtyre profesioneve, ato që realizojnë të ardhura deri në 5 milion lek në vit kanë qenë të përjashtuar nga tatimi dhe normalisht një barrë e re gjithmonë konsiderohet si një detyrim shtesë nga ana e tatimpaguesve dhe jo gjithkush e kupton se duhet të kontribuoj me të ardhurat e tij në buxhetin e shtetit”, tha Niko Lera, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave.

Nuk ka asnjë gabim në njoftim vlerësimin e dërguar kësaj kategorie të biznesit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Detyrimi vjen nga vet deklarimi i profesionistëve të lirë bërë gjatë vitit 2023.

Nuk ka të bëjë fare as me aktin normativ, as me spostimin e miratimit të disa neneve por ka të bëjë me logjikën e implementimit e ligjit në vitin e parë të tij,” tha Lera.

Çështja e ligjit të ri të tatimit të të ardhurave do të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa tatimpaguesit do të duhet të paguajnë këstin e parë të detyrimit ligjor brenda muajit qershor. Avokati i shtetit, zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave do të mbrojnë ligjin gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Natyrisht që do bashkëpunojmë dhe po bashkëpunojmë edhe me Avokatin e Shtetit që është palë në këtë proces me departamentin e Këshillit të Ministrave, sepse do të jetë ai që në një moment do të jetë pjesë e rakordimit e të gjitha palëve dhe patjetër që kemi argumente,” u shpreh Niko Lera.

Debati publik i takon një ligji të ri për tatimin e të ardhurave, i miratuar në marsin e vitit 2023 dhe që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti. Asnjë grupim biznesi nuk e kishte atakuar projektin dhe as ligjin deri në prill 2024.

Nga më shumë se 120 mijë tatimpagues, persona fizikë dhe juridikë, një e treta janë furnizues të shërbimeve profesionale që janë kundër disa neneve të ligjit të ri.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/RTSH/