RTSH 24 Live

Europë

Policia gjermane i largon protestuesit propalestinezë nga Universiteti i Berlinit

07/05/2024

Policia gjermane i largon protestuesit propalestinezë nga Universiteti i Berlinit

Policia gjermane i ka larguar të martën protestuesit propalestinezë nga kampusi i Universitetit të Berlinit “Freie”, të cilët po bënin thirrje për ndaljen e luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.

Rreth 100 studentë i kishin vendosur dhjetëra tenda në kampusin e universitetit të martën, duke iu bashkuar thirrjeve të të ashtuquajturit “Koalicioni Studentor i Berlinit” për pushtimin e universiteteve gjermane.

Studentët nga universiteteve të ndryshme të Berlinit iu bashkuan protestës, duke bartur flamuj palestinezë, si dhe duke brohoritur në mbështetje të palestinezëve dhe duke i dënuar Izraelin dhe Gjermaninë.

Universiteti “Freie” tha se protestuesit u përpoqën të futeshin brenda sallave dhe dhoma të universitetit, në përpjekje për t’i uzurpuar ato.

“Është e papranueshme ta uzurposh pronën e universitetit. Ne e mirëpresim dialogun dhe debatin akademik – por jo në këtë mënyrë”, tha Guenter Ziegler, president i Universitetit të Berlinit “Freie”.

Protestat studentore kundër luftës dhe kundër marrëdhënieve akademike me Izraelin, kanë filluar të përhapen nëpër Evropë, por kanë ngelur shumë më të vogla krahasuar me ato në Shtetet e Bashkuara së fundmi.

Studentët po protestojnë kundër luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, e cila nisi pasi Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë si rrjedhojë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Më shumë se 25 automjete policore e rrethuan kampusin e Universitetit të Berlinit të martën, dhe Policia tha se e pastroi zonën me kërkesë të menaxhmentit të universitetit, pasi protesta nuk ishte regjistruar paraprakisht.

/ rtsh.al /