RTSH 24 Live

Europë

Ministri italian kundër Makronit, Tajani tha se Italia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë    

04/05/2024

Ministri italian kundër Makronit, Tajani tha se Italia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë    

“Italia gjithmonë ka thënë se nuk është në luftë me Rusinë dhe për këtë arsye nuk do të dërgojmë ushtarët tanë për të luftuar në Ukrainë”. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Italisë  Antonio Tajani, duke iu përgjigjur nga Rexho Kalabria deklaratave të presidentit francez Emanuel Makron. 

Shefi i Elizesë tha të enjten se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, pasi kanë përballë Rusinë që nuk përjashton asgjë. "Ne mbrojmë të drejtën e Ukrainës për të qenë një shtet i pavarur. Por ne nuk jemi në luftë me Rusinë. Qëndrimi ynë është gjithmonë ky. Ne kurrë nuk kemi ndryshuar mendje. Ne mbrojmë lirinë, pavarësinë dhe po punojmë për të ndërtuar paqen” shtoi Tajani. 

Deklarata e presidentit francez u mbështet një ditë më parë edhe nga ajo e sekretarit të jashtëm britanik Kameron. Ai kishte folur për të drejtën e Kievit për të përdorur armët e vendit të tij për sulme kundër rusëve brenda territorit të tyre.  

Moska reagoi ashpër të premten kundër Francës dhe Britanisë, duke paralajmëruar përshkallëzim të situatës. 

Deklarata e presidenti francez Makron dhe sekretarit britanik Kameron për mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë, në terren në konfliktin në Ukrainë janë të rrezikshme” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /