RTSH 24 Live

Kosovë

Media kritika qeverisë së Kosovës, komuniteti i gazetarëve kërkon përmirësimin e situatës  

03/05/2024

Media kritika qeverisë së Kosovës, komuniteti i gazetarëve kërkon përmirësimin e situatës  

 
Gjendje shqetësuese dhe alarmante e kanë vlerësuar organizatat e mediave në Kosovë rënien me 19 vende që ka pësuar ky shtet në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij. 

Ato theksuan se qeveria duhet të bëjë hapa konkretë në përmirësimin e situatës aktuale. 

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se siguria e gazetarëve vazhdon të mbetet shqetësuese. “Kjo renditje duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në format e ndryshme në këtë renditje dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Qeverinë e Kosovës.” tha zoti Rexha.

Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, Imer Mushkolaj tha se përpjekja e qeverisë për të zbehur besimin e mediave tek publiku, e ka bërë më të vështirë punën e gazetarëve. “Lajmi për këtë renditje kaq të poshtë, në fakt më e ulta në 10 vitet e fundit është jashtëzakonisht shqetësues dhe kjo tregon se ambienti i bërit gazetari në Kosovë po vështirësohet çdo ditë e më shumë.” tha zoti Mushkolaj.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Majkëll Davenport theksoi se gjatë vitit të fundit ka pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve.“Gjatë 12 muajve të fundit kemi pasur rritje të dhunës ndaj gazetarëve. 74 raste janë regjistuar si kërcënime dhe sulme fizike ndaj tyre." tha zoti Davenport.

Edhe Qeveria e Kosovës e pranoi se këtë vit ka përkeqësim të lirisë së medias. Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se ky nuk ishte një vit i lehtë për gazetarët për shkak të sulmeve ndaj tyre në komunat veriore. 

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani tha se se liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën. Ajo theksoi se beteja kundër lajmeve të rreme dhe keqinformimit nuk ka qenë kurrë më urgjente se sot. 

Kosova u rendit e 75 në botë nga 180 shtete për lirinë e medias, ndërsa një vit më parë që ishte e 56-ta.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /