RTSH 24 Live

Politikë

Mbledhja e socialistëve, Kikia: Po shpërqendrohet vëmendja nga akuzat e opozitës

07/05/2024

Mbledhja e socialistëve, Kikia: Po shpërqendrohet vëmendja nga akuzat e opozitës

Opinionistët Mentor Kikia dhe Ben Andoni, të ftuar në studion e RTSH 24, e kanë parë mbledhjen e sotme të kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar socialist dhe kabinetin qeveritar, si përpjekje për të shpërqëndruar vëmendjen e shtuar në aferat korruptive të vendit.

Duke iu referuar gjithashtu edhe turit të Ramës në Athinë, Milano, Mynih dhe Londër, Kikia theksoi se është përpjekje e Kryeministrit për të rivendosur pozicionin që PS duhet të ketë në raport me publikun.

“Mbledhja do jetë përpjekje për të shpërqendruar disi vëmendjen e shtuar mbi aferat korruptive, me epiqendër Bashkinë e Tiranës, historia e drejtorëve që është bërë shkak dhe për një reagim ndryshe të opozitës.

Do jetë përpjekje për të zbehur disi këtë situatë. Nuk dimë nëse do ketë lëvizje në lidershipin politik sa i takon z.Veliaj në PS.

Turi i takimeve është përpjekje për të rivendosur në njëfarë mënyre në pozicionin që PS mendon që duhet të jetë në raport me publikun, lëkundur kjo edhe pas akuzave të ngritura nga një dokumentar i Rai 3, që prodhoi debat publik.

Imazhi që u prodhua edhe në arenën ndërkombëtare apo publiku shqiptar që jeton jashtë. Ky tur praktikisht nuk kanë vlerë e me gjasë nuk kanë për të votuar.

E vetmja mënyrë që emigrantët të votojnë, është të marrin avionë, tragete, makina e të vijnë të votojnë në vendin e tyre. Është përpjekje për të shoshitur problemet”, tha Kikia.

Opinionisti Andoni deklaroi se mbledhja e sotme e Ramës, është një taktikë për të mbajtur publikun nën presion të gjërave që do të ndodhin.

Andoni theksoi se mandate i tretë i qeverisë “Rama” do të jetë tepër i vështirë për t’u mbyllur, për shkak të korrupsionit, mos ndryshimit të parametrave, dhe një sërë reformave të cilat në optikën e tij, nuk kanë dhënë rezultat.

Kuptohet se z. Rama përballë kësaj situate duhet të mbajë flamurin e antikorrupsionit. Ai në mendimin tim do e zgjidhi me pjesën e ndryshimeve. Është taktikë e gjithë liderëve në Ballkan, se në momente të tilla mbajnë nën presion publikun të gjërave që do ndodhin. Sot është tensioni i ndryshimeve të tyre. Personalisht mendoj se z.Rama ka testuar diçka, përkundrejt sondazheve që na serviret, mandati i tij i tretë do jetë shumë i vështirë për t’u mbyllur. E para korrupsioni, e dyta mos ndryshimi i parametrave, e treta një sërë reformash të cilat nuk kanë dhënë impakt. Është shumë e largët hija e reformave që ndërmori në fillim z. Rama”, tha Andoni.

/rtsh.al/