RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti takim me ambasadorët e QUINT-it: Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe dialogu me Serbinë të mos trajtohen së bashku

06/05/2024

Kurti takim me ambasadorët e QUINT-it: Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe dialogu me Serbinë të mos trajtohen së bashku

Qeveria e Kosovës kërkon që anëtarësimi i saj me të drejta të plota në Këshillin e Evropës dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të mos përzihen së bashku.

Kreu i qeverisë tha se “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” dhe se dy çështjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Këto deklarata Kurti i bëri gjatë një takimi të zyrën e tij me ambasadorët e QUINT-it.

Nëse këto dy çështje përzihen, tha Kurti, do të ketë dëme të riparueshme si për dialogun dhe për vetë KiE, e cila fokusohen në zbatimin e të drejtave të njeriut dhe promovimin e vlerave demokratike.

“Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Gjatë takimit ambasadorët kanë kërkuar nga Kosova që të hedh hapa para me themelimin e Asosacionit dhe se kjo të ndodh para s e Komiteti i Ministrave të thotë fjalën përfundimtare për anëtarësimin ose jo të Kosovës në KiE më 17 maj.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe rreth procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës. Kryeministri theksoi se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate. Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit. Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës.

Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës”, dhe se “me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës pas takimit të Kurtit me ambasadorët.

Kurti është shprehur se çështja e Asosacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe se si e tillë duhet të trajtohet.

“Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel. Shtetet e QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës me 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore. Në kohën kur autokracitë në Evropë janë në rritje dhe po cenojnë çdo herë e më shumë demokracinë, sigurinë dhe paqen, arritjet demokratike të Kosovës duhet të festohen nga demokracitë perëndimore”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/